A është e dobishme Vjosa si zjarrfikëse e Albinit?

Nga: Mero Baze

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka filluar të mendoj me zë të lart kundër Albin Kurtit. Fjalimi i sotëm në parlamentin Evropian, bie ndesh me retorikën izoluese të Albin Kurtit dhe qëndrimin e tij antiperëndimor. Vjosa Osmani e cila është e dyta pas Ibrahim Rugovës që flet në emër të Kosovës në Parlamentin Evropian, citoi Ibrahim Rugovën dhe sloganin e tij “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Por të gjithë këto i ka bërë jo veç për të shpëtuar Kosovën por dhe Albin Kurtin.

Në një farë mënyre ajo është zyrtarja më e lart e Kosovës, që po përpiqet ti jap garanci Perëndimit, se Kosovën nuk do ta lëmë në duar të Albin Kurtit, ndërsa Albin Kurtin duket se po e qetëson, duke i thënë se nuk do të lë në duar të armiqve të tij perëndimorë.

Retorika saj ka ndryshuar edhe karshi krerëve të shtetit shqiptar, presidentit Begaj dhe kryeministrit Rama, ndaj të cilit shpesh herë ka shfaqur dhe shenja të urrejtjes në publik. Përmbajtja e saj pas anulimit të mbledhjes dhe këmbngulja se duhet të bashkëpunojmë me Shqipërinë, është shumë larg gjuhës së saj të vjetër kundër Shqipërisë.

Por a është e dobishme Vjosa Osmani si zjarrfikëse e Albin Kurtit? Duket që kërkon të jetë e dobishme dhe nuk duhet ta paragjykojmë. Por problem është se Albin Kurti nuk është duke kërkuar zjarrfikëse, por duke kërkuar benzinë për zjarrin.

Ndërsa në Veri të Kosovës sot ushtria serbe rrëmbeu tre policë të Kosovës, duke shpikur “shkeljen” e vijës kufitare, Albin Kurti I cili po predikon sovranizmin në Kosovë, pa NATO dhe SHBA veproi si “sovranist” dhe bllokoi doganat e Kosovës që fusin mallrat nga Serbia.

Nuk dua ti hyj debatit se çfarë efekti ka ky veprim, por një gjë është e qartë që Albin Kurti nuk ka asnjë plan, por vepron në bazë të emocioneve dhe vendosmërisë së tij për ta përshkallëzuar konfliktin. Dhe mungesa e një plani për të dal nga ky tunel ku ka hyrë e bën atë përditë e më të paparashikueshëm dhe përditë e më të pakordinuar me ndërkombëtarët por dhe vet forcat politike në Kosovë.

Kështu Presidentja Osmani është e lirë të reagoj ashpër ndaj rrëmbimit të tre policëve të Kosovës në Veri, por e ka të vështirë të mbroj apo sulmojë, bllokimin e pikave kufitare papritur, një akt I cili rikthen tensionin dhe gjendjen e luftës mes dy vendeve, duke mos llogaritur dhe dëmet për ekonominë e Kosovës.

Dhe në këtë aspekt qëndrimet e saj publike ose duhet të jenë deri në fund të vendosura kundër politikave të qeverisë, ose do të bëjnë më shumë dëm, pasi nga një anë e egërsojnë Albin Kurtin I cili e ndjen se ajo nuk është në një gjatësi vale me të, dhe nga ana tjetër krijojnë iluzionin e rremë që ata janë bashkë.

Roli I saj si zjarrfikëse nuk ka për të funksionuar. Ajo mund të fik zjarret që Albini ndez me Shqipërinë, pasi Shqipëria është vet e kujdesshme të mos dëmtoj Kosovën, por ajo nuk e shuan dot me një fjalim zjarrin që Albin Kurti ka ndezur me bashkësinë euroatlantike, dhe akoma më shumë nuk ja del dot të përdor “sovranizmin” e Albin Kurtit për të liruar policët e Kosovës të rrëmbyer apo për të normalizuar gjendjen në doganat e Kosovës.

Albin Kurti pak nga pak po hyn në spiralen e Sali Berishës, i cili me shpresë se një ditë do ti bjerë telefoni dhe ata nga SHBA apo Brukseli do ti kërkojnë ndihmë, përpiqet të bëj gjithë marrëzitë që i vijnë në mendje. Por Sali Berisha nuk ka dhëmbë të kafshoj se i kanë rënë dhe llastikët e brekëve. Albin Kurti është kryeministër i Kosovës dhe ka ende plot gjëra në dorë, për ti bërë dëm Kosovës, në përpjekje për të “gjunjëzuar” Perëndimin. Problemi është se nuk do marrë kurrë një telefon ku ti kërkojnë ndjesë, por mund të marrë një telefon që nuk do ti bëj punë as ndjesa që do tu kërkojë.

E nesërmja mund të rezervoj surpriza të tjera, por është e qartë dhe deri në këto momente, se Vjosa osmani ka vendosur tu tregoj me zë të lart të gjithëve se nuk është si Albini, dhe Albini po ashtu ka vendosur të tregoj qoftë dhe për këtë shkak se nuk ka ndërmend të ndikohet prej saj. Ajo është e dënuar ose të jetë në resht me Albinin ose përballë tij. Autokratët nuk të lënë kurrë të jesh midis.

SHKARKO APP