A është Majko “krim*nel elektoral” siç tha Berisha? Sula del kundër: Kemi pasur oferta nga…

Deputeti i PD-së Dashnor Sula, del kundër deklaratës së Sali Berishës se Pandeli Majko është një kriminel elektoral, çka bëri që ky i fundit t’i kërkojë Elisa Spiropalit të kërkojë informacione në Shërbimin Informativ, si edhe u shpreh i gatshëm për lënien e mandatit.

”Nuk besoj që Pandeli Majko është njeri me aktivitet kriminal si disa kolegë të tij të mazhorancës, të cilët kanë marrëdhënie me bandat, krimin e korrupsionin, por në aspektin elektoral Majko është i përfshirë”,-tha Sula. Sipas tij, demokratët kanë pasur oferta nga bandat për bashkëpunim në zgjedhje, por nuk kanë pranuar. Dhe kjo sipas tij është diferenca me socialistët.

”Si puna e atij që thotë filmi: Gëlltit një lugë çorbë dhe vjell gjithë jetën. Ju mendoni që nuk kemi pasur oferta ne për bashkëpunim me bandat, për njerëz, për vota? Por nuk e kemi bërë, se sot merr një privilegj e ke të varur pas xhaketës. Kjo është diferenca jonë si opozitë me këtë mazhorancë”,-tha në ”A2cnn”. I pyetur nëse ndonjë nga deputetë e opozitës del në përgjimet e SKY ECC, Sula përgjigjet: “Nëse del në përgjime ndonjë deputet i opozitës, haram i qoftë! Haram buka e nënës dhe e babës. Këta që janë rrahur që të vegjël janë me sindroma dhe kur rriten kanë qejf të rrinë me të fortët”.

Ai akuzoi qeverinë për shpopullimin dhe kriminalizimin e shtetit. Sipas tij kjo që është bërë në 12 vjet qeverisje nuk është bërë as nga pushtuesit. Sula thekson se ky vend ka nevojë për burra dhe gra të moralshëm në politikë. ”Nuk jam unë diamanti i kulluar i politikës shqiptare, po të më krahasosh mua me kolegë të tjerë që dalin nëpër afera. Mbush 20 vite në politikë, mund të jem më pak i zgjuar, por në radhë të parë duhet të jesh njeri. Ky vend ka nevojë për burra e gra të moralshëm, të ndershëm e të përkushtuar për vendin dhe jo burra të zgjuar që sa vijnë në pushtet rregullojnë fisin e pasurohen”.

I pyetur për ofertën elektorale të PD-së në këto kushte, Sula thekson se së pari duhet një ekip i mirë që të jetë pasqyra e opozitës. Ai vlerëson punën e Berishës dhe thotë se do të jetë gabim nëse nuk i përgjigjen ritmit të tij.

SHKARKO APP