A gjendet një lider që të rrëzojë Edi Ramën?
(Ky editorial shikohet më i plotë si video ndaj kliko për ta ndjekur)
-Shkruar nga Jonida Halili-
Edi Rama është njeriu më i plotfuqishëm në historinë e këtyre 32 viteve demokraci. Nëse Berisha kishte shumë pushtet dhe ishte i dhunshëm në ushtrimin e pushtetit gjatë vitëve 1992 deri në 1997, sot Edi Rama ka me tepër pushtet se sa Berisha i dikurshëm. Asokohe Berisha kishte opozitë të fortë përballë, ndonëse me Fatos Nanon në burg, përsëri kishte shpresa në popull përballë dhunës së pushtetit të PD-së. Kurse sot nuk ka opozitë kundër kryeministrit Rama, edhe ajo që vetquhet PD, me shumë hahen me njeri tjetrin se sa përballen me demonstrata apo protesta me qeverinë.
Kur ishte Berisha autoritar në pushtet si President republike nuk e kishte krejt median nën kontroll, siç e ka sot Edi Rama. Asokohe ishte gazeta KOHA JONE e cila me 100 mijë kopje shitje në një ditë u përballë me dhunën e pushtetit të kohës së Berishës. U dogj si redaksi nga pushteti, por fitoi liria e fjalës dhe demokracia.
Në kohën e Berishës së parë kishte biznese që edhe financonin partinë socialiste si opozitë e kohës, por sot nuk ka oligarkë që nuk është me qeverinë dhe PS; të gjithë votojnë, financojnë dhe blejnë vota për pushtetin.
Atëkohë kishte shtete të fuqishme botërore që e kundërshtonin Sali Berishën, si SHBA, Britania e Madhe, ndërsa sot Edi Rama sillet si lider botëror sa në krahët e kryeministres italiane dhe sa në kafe me presidentin francez apo kancelarin gjerman.
Nëse Berisha ishte burrë shteti, sot Edi Rama është me shumë se Burrë Shteti!
Nëse Berisha kishte fund pushteti, Edi Rama nuk e di se kur i mbaron qënia në pushtet. E kjo për fajin e opozitës, për fajin e saj se nuk bind njeri, se nuk frymëzon, nuk ngjall besim. Kjo opozitë ka vdekur.
Ndaj Edi Rama vazhdon gjatë në pushtet sa gjatësia e tij fizike, bile në qoftëse nuk do kemi opozitë të re apo drejtues të rinjë në krye të kësaj opozite, Edi Rama do të lodhet në pushtet por nuk do të largohet.
A gjendet një lider i ri përbashkues në opozitë që të mobilizojë popullin për një FRONT të madh kundra qeverisë?
Gjasat duken se JO, të paktën për momentin!
Ndaj Edi Rama fërkon duart kur shikon përballë tij Sali Berishën, Ilir Metën dhe Lulzim Bashën.
Sa ti ketë këta të tre, kryeministri Rama shëtit nëpër botë me avionin “Air Albania” pa patur asnjë shqetsim se mund ta rrëzojnë.
Kjo opozitë është fati i Edi Ramës dhe fatkeqsia e popullit shqiptar.