A kemi siguri për banesat tona? Deputetja Bozdo: Të rishikohet plani urbanistik i Tiranës
Një mënyrë për të shmangur ngjarje të tilla, ku pallati përfshihet i gjithi nga flakët është që mbikëqyrësit e punimeve apo supërvizoret e objekteve në ndërtim të mos zgjidhen nga investitorët.
Inxhinierë të ndërtimit, tregojnë hapat e domosdoshëm të kontrollit, nga nisja deri në përfundim të ndërtimit të objektit. Përmes tyre shteti verifikon cilësinë e ndërtimit, respektimin e normave urbanistike dhe arkitekturore. Sipas tyre ngjarja e fundit dëshmoi për një proces të mangët.
Problemet duket se nuk mbyllen me kaq. Ekspertët e ndërtimit ngrenë dyshime edhe ne lidhje me procesin e hetimit pas ngjarjes. Mungesa e urdhrit të inxhinierit, një kërkesë disavjeçare e tyre, e ka bërë edhe më kaotik tregun e ndërtimit kur flitet për sigurinë.
Deputetja e mazhorancës në Kuvend, inxhinierja Luljeta Bozdo pranon se është e nevojshme të rishikohet plani urbanistik i Tiranës. Teksa priten konkluzione e hetuesve banoret do të jetojnë me pasigurinë dhe frikën se investimi i jetës së tyre befas mund të zhbëhet. /A2cnn/