A mund të kthehet Shqipëria në oaz të shërbimeve të IT?
Interesi i të rinjve shqiptarë për të studiuar në degët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është rritur në vitet e fundit në vend. TIK po shndërrohet në një sektor me potencial punësimi, i nxitur edhe nga numri i studentëve që po diplomohen në këto degë studimi. Shumë kompani të huaja dhe vendase, me plane ambicioze për punësimin, po investojnë në sektor. Megjithatë, “epidemia” e emigracionit ka prekur edhe profesionistët e IT-së. Sa potencial ka Shqipëria për t’u shndërruar në një qendër të ofrimit të shërbimeve të IT-së për të huajt?
Nga Ledina Loga
Departamenti i Informatikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka mirëpritur edhe këtë vit shkollor studentë nga e gjithë Shqipëria, të cilët kanë zgjedhur të studiojnë për Informatikë dhe Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. Profesor Denis Saatçiu prej vitesh është angazhuar në mësimdhënie në këto degë dhe sapo është njohur me studentët e vitit të parë, për të cilët shprehet shumë optimist. Ndryshe nga pak vite më parë, niveli i studentëve këtë vit ka qenë relativisht i lartë, ku mesatarja më e ulët e studentëve të regjistruar llogaritet rreth 9.4.
Sipas profesor Saatçiut, studentët që ndjekin këto degë studimi, janë ndër më të kërkuarit në tregun e punës. Në ciklet e studimit master është e rrallë të gjesh studentë që nuk janë të punësuar në profesion, ndërsa punësimi i tyre për një pjesë të mirë fillon që në vitin e tretë të studimeve.
Vetëm gjatë vitit akademik 2018-’19, në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit ishin të regjistruar mbi 10 mijë studentë, apo 21% më shumë në krahasim me një vit akademik më parë.
Sipas të dhënave të fundit, të vlefshme nga INSTAT, në vitin 2017 u diplomuan në fushën e studimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit rreth 2110 studentë, prej të cilëve 1400 përfunduan studimet Bachelor, ndjekur nga 702 studentë që përfunduan studimet master dhe 7, doktoraturën. Numri i të diplomuarve në TIK u rrit me 57%.
Interesi i disa të rinjve shqiptarë për t’u diplomuar për IT, në fakt, lind më herët se studimet universitare. Moisi Xhaferraj është profesor i robotikës në shkollën e mesme teknike “Harry Fultz”. Për “Monitor”, profesori u shpreh se ky vit ka pasur një bum kërkesash nga nxënësit që kanë shprehur interesin për të studiuar elektronikë, aq sa drejtuesit e shkollës vendosën mesataren 9 si kufi për pranimet. Këtë vit, kanë regjistruar 300 nxënës të rinj.
Në fakt, nuk është rastësi se pse kjo fushë studimi po tërheq si me magnet të rinjtë drejt saj. Edhe pse të studiosh informatikë është një trend global, pasi zhvillimet teknologjike janë një ndër faktorët kryesorë në ndryshimet e stilit të jetesës për njerëzit, është ndër profesionet e mirëpaguara, rreth të cilit është i orientuar edhe tregu i punësimit, ku nuk është nevoja për “miq” për të gjetur punë.
Profesor Saatçiu tha për “Monitor” se, aktualisht, pagat në sektor janë të kënaqshme. Një i ri pa përvojë pune, student në vitin e tretë bachelor mund të gjejë një punë me pagë 30 – 40 mijë lekë. Me përvojën rritet edhe paga, ku sipas profesor Saatçiut, të rinjtë me deri një vit përvojë pune, marrin paga që variojnë nga 60 – 70 mijë lekë, për specialistët, pagat variojnë nga 100 – 150 mijë lekë, kurse për nivelet menaxheriale, të ardhurat mujore nga puna kapërcejnë vlerën e 200 mijë lekëve.
Sektori, gjenerator punësimi dhe “magnet” për të huajt
Nëse do të vëzhgojmë disa nga portalet kryesore të punësimit në vend, të cilat nxjerrin njoftime pune, ndër profilet kryesore më të kërkuara është IT-zhvillues softuerësh. Lufthansa Industry Solution ishte një nga kompanitë me numrin më të lartë të vendeve të lira të punës. Në maj të këtij viti, Lufthansa Indystry Solution bleu kompaninë AMD. Kjo e fundit operonte që prej vitit 2017 në tregun vendas në fushën e zhvillimit të programeve kompjuterike dhe administrimit të aplikacioneve, duke bashkuar kapacitetet unike të dy vendeve, profesionistët më të mirë të Shqipërisë dhe stilin e punës të Gjermanisë. Përfaqësues të kompanisë u shprehën për “Monitor” se aktualisht punësojnë 180 profesionistë dhe kanë rreth 30 vende pune të lira, kryesisht për programues.
Vitet e fundit është shtuar interesi i kompanive të huaja, të cilat janë vendosur në Shqipëri, nisur kryesisht nga kostot e ulëta të punës, por edhe nga numri gjithnjë e në rritje i burimeve njerëzore në këtë sektor.
Megjithatë, profesor Denis Saatçiu thotë se ka dhe shumë kompani të huaja apo të përbashkëta, që punësojnë 30-50 persona dhe që ofrojnë kryesisht shërbime të nënkontraktuara.
Edhe kompanitë shqiptare po krijojnë identitetin e tyre në një treg më të gjerë se ai shqiptar. Në zyrat e kompanisë Landmark Technologies është shumë e lehtë që me një vështrim të shquash se mosha e mesatare e të punësuarve, nuk është më shumë se 28 vjeç. Kompania operon si një agjenci dixhitale, me ekspertë web-i të cilët ofrojnë zgjidhje sipas nevojave dhe kërkesave të klientëve. Pjesa më e madhe e klientëve dhe e kërkesave, vijnë nga vende si Anglia, Holanda, Kanadaja, Zvicra, Italia, Dubai dhe Katari. Aktualisht, zhvilluesit e kësaj kompanie janë në përfundim të një prej projekteve, një algoritëm i sofistikuar, i cili ndihmon anijet për optimizmin e rrugës dhe shmangien e rreziqeve deri në ankorim. Sigurisht që ky produkt i kompanisë Landmark është i destinuar kryesisht për klientët jashtë.
Erion Isufi, CEO i kompanisë, thotë se deri më tani, ecuria në sektor ka qenë e mirë, me projekte afatgjata dhe në vazhdimësi. Aktualisht, në grupin e tyre janë të punësuar rreth 200 punonjës dhe ai shton se kompania ka nevojë ende për të zgjeruar burimet njerëzore.
“Hemorragjia”, profesionistët e IT-së po ikin jashtë
Por, ndërkohë që kompanitë kanë nevojë për të zgjeruar burimet e tyre njerëzore, “virusi” i emigracionit ka prekur edhe profesionistët e IT-së, të cilët, deri diku, marrin paga të larta. Profesor Denis Saatçiu shpjegon se largimet kanë prekur edhe stafin akademik të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku vetëm vitin e kaluar u larguan dy pedagoge, të cilat nisën punë si programuese në Austri dhe në Gjermani.
Largimet janë bërë të shpeshta në komunitetin e profesionistëve të IT-së, të cilët ikin jashtë, ndonëse marrin një pagë të kënaqshme dhe deri diku të përafërt me pagat jashtë, duke marrë në konsideratë se jashtë kostot e jetesës janë relativisht më të larta. Një pjesë e mirë e tyre japin si arsye kryesore për largimin të ardhmen e fëmijëve.
Në fakt, largimet e profesionistëve në Shqipëri i tregojnë dhe të dhënat e Eurostat, ku lejet e qëndrimit të dhëna për shqiptarët për arsye punësimi kanë shënuar rritje në vitet e fundit, duke mbështetur edhe me shifra largimin e profesionistëve.
Deri në vitin 2020, Bashkimi Europian përllogarit se tregut të punës atje do t’i mungojnë 670 mijë profesionistë të IT-së, pasi Ndërmarrjet e Vogla dhe Mesme, si dhe ndërmarrjet shumëkombëshe po konkurrojnë që fuqia punëtore e TIK-ut të mund të korrespondojë me nevojat nxitëse të transformimit dixhital. Përsëri, numri i atyre që raportojnë vështirësi gjatë punësimit të forcës dixhitale të punës në rajonin e Europën Qendrore dhe Lindore po rritet.
Si rezultat i kërkesës gjithnjë e në rritje të tregut, pagat e profesionistëve në TIK janë mjaft konkurruese në të gjithë globin. Sidoqoftë, të ardhurat varen kryesisht nga faktorë si vendi, gjinia, mosha, niveli i arsimit dhe lloji i punës. Pagesat janë gjithashtu më të larta në kompani më të mëdha dhe për ata që punojnë freelancer (të pavarur) zakonisht kanë tendencë të fitojnë më shumë sesa punonjësit e kompanisë.
Potenciali i Shqipërisë, Europa Lindore na konkurron fort
Aktorët kryesorë të tregut flasin për një potencial të jashtëzakonshëm të tregut për të zhvilluar sektorin e IT-së dhe kjo do të ishte një mundësi “e artë” për të orientuar tregun drejt vlerës së shtuar dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Erion Isufi, CEO i kompanisë Landmark, thotë se shumë të rinj që operojnë në Call Center mund të orientohen drejt shërbimeve të IT-së, sektor ku edhe pagat janë më të larta. Sipas tij, në pak vite, dhe me politikat e duhura nga institucionet mbështetëse, sektori mund të numërojë 30,000-50,000 të punësuar.
Profesor Denis Saatçiu shpjegon se kompanitë shqiptare po punojnë kryesisht për jashtë, pasi po të fokusohen vetëm në tregun vendas, do të shkojnë drejt falimentimit.
“Nëse do të duan të mbijetojnë, kompanitë shqiptare, do të orientohen drejt tregut të huaj, pasi së pari tregu vendas nuk do të mjaftojë për ato që të rriten dhe kështu nuk do të paguajnë dot as punonjësit” – thotë ai. Megjithatë, Saatçiu shpjegon se rritja mund të shkojë deri në një pikë, më pas do të maturohet, kjo për shkak edhe të popullsisë së vogël të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, konkurrenca me vendet e Europës Lindore, të cilat kanë nisur të rriten me shpejtësi dhe kanë përvojë më të hershme se Shqipëria, kufizon deri diku vendin.
Siç tregojnë statistikat, Europa është ende e ndarë në dy pjesë kryesore kur shikon nivelin e pagave të sektorit TIK. Në të njëjtën kohë, rritja e pagave në Europën Lindore po përshpejtohet, ku vihet re një rritje reale e pagave më shumë se dyfish sesa niveli i Europës Perëndimore. Industria e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, kohët e fundit është zgjeruar në Europën Lindore me 7 %, falë kërkesës së konsiderueshme për shërbime tradicionale të IT nga Europa Perëndimore dhe SHBA.
Sa për shembuj specifikë, në Rumani, pagat në sektor u rritën me 11 % në krahasim me një vit më parë.
Në Hungari, pagat e zhvilluesve të softuerëve janë mesatarisht rreth 1672 euro, dhe pagat rriten në mënyrë eksponenciale me përvojën e fituar. Profesionistët e TIK-ut në Poloni mund të jenë po aq të kënaqur, pasi fitojnë pothuajse dy herë më shumë sesa të punësuarit në industrinë e ndërtimit dhe sektorin e biznesit me sektorin e pagave mesatare prej 1914 euro.
Eksportet e shërbimeve të IT-së në rritje
Sipas të dhënave të Doganës, eksportet e shërbimeve informatike dhe kompjuterike në vitin 2017 kapën vlerën e 30 milionë dollarëve. Për fat të keq, ende nuk janë përditësuar të dhënat për vitin 2018, megjithatë tendenca e eksporteve të këtyre shërbimeve ka shënuar rritje galopante, ku në krahasim me vitin 2014, ato janë më shumë se dyfishuar. Që nga 2018-a, kompanitë që prodhojnë softuerë kanë një tatimfitim prej 5 %, një normë tërheqëse dhe për kompanitë e huaja .
KOHA JONË SONDAZH

