A mundet pushteti lokal të përballojë krizën e koronavirusit, ja si shprehet Pjerin Ndreu!
I ftuar në emisionin “Arena” nga Dritan Hila, kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka thënë se pushteti lokal ka një bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë, pro e dhe me biznesin në bashki të ndryshme.
“Ne kemi qenë në harmoni të plotë me qeverinë, kemi bashkëbiseduar çdo ditë me strukturat e qeverisë, të cilat na kanë orientuar nga pikëpamja e përdorimit të fondeve, se çfarë duhet të bëjmë. Kjo është një situatë që ne nuk e njohim, dhe normalisht që na është dashur që qeveria të asistojë hap pas hapi, se çfarë të bëjmë. Ne jemi munduar të lëvizim shumë shpejt, me biznesin, 70% e pakove të ndihmave që ne kemi shpërndarë i atribuohen biznesit lezhjan. Biznesi na ka mbështetur pa limit”, tha Ndreu.
Kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu tha se bashkia përpos qeverisë, ka alokuar rreth 80 milionë lekë të reja në dispozicion të emergjencave.
Ndreu shtoi se taksat për bizneset që nuk kanë punuar për 2 muaj, si dhe për të gjitha familjet që nuk kanë punuar për këtë periudhë janë fshirë.
“Ne i kemi evidentuar familjet në nevojë, i kemi në listat e këshillit bashkiak dhe janë lista të miratuara. Pavarësisht se çfarë ka bërë qeveria me pagat, ne kemi bërë lëvizje të shpejta me vendim këshilli, kemi rialokuar 80 mln të reja në dispozicion të emergjencave, për të suportuar pagesat me ushqime, sepse biznesi nuk mbante më ritmit dhe kemi 3-4 që kemi filluar me paketat e fundit dhe do të fillojmë blerjet tona si bashki. Po ashtu edhe procesin e dezinfektimit e kemi bërë me donatorë. Kemi fshirë taksat për bizneset që nuk kanë punuar për 2 muaj, si dhe për të gjitha familjet që nuk kanë punuar për këtë periudhë. Kemi shtyrë edhe afatet me dy këste deri në 30 qershor dhe tetor që kanë punuar që të jenë të lira dhe të mos jenë në darën e problematikës që jemi edhe ne. Kemi miratuar gjithë skemën e planit të vendosjes të të gjitha gjërave edhe në Plazhit të Talës, Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun”, u shpreh kryebashkiaku Pjerin Ndreu.