A po i paguajnë institucionet kontributet shoqërore të punonjësve? Reagojnë Financat

Ministria e Financave ka reaguar lidhur me lajmet që kanë qarkulluar në media për sa i përket detyrimeve të prapambetura të kontributeve shoqërore nga subjekte juridike dhe institucione buxhetore dhe jobuxhetore.

Në reagimin e saj, Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron opinion publik se këto detyrime nuk kanë nisur sot por ato datojnë shumë më herët.

Gjithsesi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë shprehet se është angazhuar në terma konkretë, duke realizuar një ndryshim në Udhëzimin e Zbatimit të Buxhetit 2019, përmes së cilit specifikohet se pagesat e sigurimeve shoqërore të institucioneve buxhetore do të kryhen njëkohesisht me pagesën e borderosë, dhe jo pas 20 ditëve si në parashikimin e mëparshëm.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, po në bazë të këtij Udhëzimi, siguron zbatimin me rigorozitet të këtij rregulli të ri që prej muajit Tetor 2019.

Në mënyrë paralele, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore po ndjekin intensivisht rakordimin dhe shlyerjen hap pas hapi të këtyre detyrimeve të maturuara. 

Në vijim, Drejtoria e Tatimeve në bashkëpunim edhe me Inspektoriatin e Punës janë angazhuar në kuadër të planit operacional stop-informalitetit për monitorin e deklarimeve të punonjësve dhe të pagave nga subjektetet private.  Ky borxh në vetvete është një proces dinamik, i cili ndikohet edhe nga cikli i rritjes dhe zhvillimit ekonomik të një vendi” shkruhet në njoftimin e ministrisë së Financave.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të njoftimit të shpërndarë për mediat, shprehet  siguron qytetarët shqiptarë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, brenda hapësirave që lejon ligji, që të bëjë të mundur amortizimin deri në eleminim të të gjitha detyrimeve të prapambetura. “Çështje të kësaj natyre nuk cënojnë në asnjë formë ecurinë e buxhetit të shtetit dhe qëndrueshmërinë e indikatorëve bazë të ekonomisë” përfundon reagimi i Ministrisë së Financave.

SHKARKO APP