A shkatërrohen bandat me ndryshimet në polici?

Vendi po përjeton krime mafioze, masakra me të vrarë, dhe vrasësit me pagesë, si dhe ata që paguajnë, nuk kapen. Ekzekutime mafioze, krime në familje dhe shpërthime me tritol, janë ngjarjet që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës. Shumica e vrasjeve janë ende pa autorë.

Ndaj dhe kryepolici Gledis Nano ka bërë ndryshime në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit. Kjo lëvizje është argumentuar me një impuls të ri që duhet t’i jepet hetimit të grupeve kriminale në vend. Këtu bëhet fjalë për aksin Fushë-Krujë-Lezhë, aks në të cilin ka ndodhur dy atentate ku kanë mbetur të vrarë katër persona dhe një tjetër u plagos rëndë.

Nga ana tjetër, gjatë ditëve në vijim pritet që të zbulohet edhe emri i ri i Drejtorit të Policisë së Durrësit. Një qark mjaft problematik për shkak të zhvillimeve në port me trafikun e kokaniës. Opozita thotë se Edi Rama është shkaku kryesor i fuqisë që krimi i organizuar ka sot, prandaj sipas saj Shqipëria ka nevojë urgjente të ndahet nga kryeministri që për ta është peng i krimit.

A mund të parandalohen ekzekutimet mafioze me ndryshimet në polici?

Ekspertë të fushës së krimit, japin disa zgjidhje që do të qetësojnë situatën. Ndërhyrje e menjëhershme me politika social-ekonomike lehtësuese dhe favorizuese për zonat më të prekura nga veprimtaritë e krimit të organizuar, si dhe ato më të largëta dhe vulnerabël. Forcimi i bashkëpunimit agjensi shtetërore-shoqëri civile për rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimin e krimit të organizuar.

Ndryshimet

Tonin Vocaj është emëruar zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke u larguar nga posti i Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale. Në këtë post, tanimë do të jetë drejtor Neritan Nallbati, i cili kishte mbajtur detyrën e Drejtorit të Policisë së Durrësit. Albert Dervishi, i cili ishte zëvendësi i Gledis Nanos, tashmë i zëvendësuar nga Tonin Vocaj, do të transferohet në Akademinë e Policisë. /R.Shtylla/

SHKARKO APP