Abilekaj: Rama bëri luftë me mediat në emër të fatkeqësisë, përgjegjës për vdekjet

Analisti Enton Abilekaj, i ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora, tha se sulmi i kryeministrit Edi Rama ndaj medias nuk është front i ri.

Abilekaj u shpreh se kryeministri theu kodin e heshtjes  duke bërë luftë në emër të fatkeqësisë me mediat dhe kundërshtarët e tij politikë.

Analisti shtoi se qeveria është përgjegjëse për humbjen e jetëve pasi nuk mori masat minimale për të siguruar të dëmtuarit e tërmetit të 21 shtatorit duke mos arritur të shmangë tragjedinë.

“Për kryeministrin nuk është front i ri është front i vjetër. Mënyra se si po sillet është e re, koha kur e gjeti është e papritur. Sepse të gjithë menduan se do të respektohej nga të gjitha palët, nga  të gjithë shqiptarët një kod heshtje në kushtet e fatkeqësisë.

Njerëzit e traumatizuar nuk duhet të ngarkoheshin edhe më keq me inatet apo me kërkimin e fajtorit me gjëra që i takojnë një kohe tjetër për tu marrë. Por të përqendroheshin tek nevojat e tyre imediate, te trauma e tyre. 

I vetmi që e prishi këtë rregull ishte kryeministri i cili e mendoi ndryshe. Si një mundi që të bënte luftë në emër të fatkeqësisë me mediat, me kundërshtarët politikë, të provokonte opozitën, të sulmonte çdo njeri që ka kundërshtar dhe të fshehë gjurmët e shkaqeve që sollën deri këtu. Sepse ka disa shkaqe që çuan në humbjen e 22 njerëzve. Këto shkaqe kërkohen patjetër tek përgjegjësia e një qeverisje 6 vjeçare, tek fakti që vetëm nga 21 shtatori qeveria nuk mori masat minimale për njerëzit që ju dëmtua shtëpia. 

Një pjesë e mirë e atyre që humbën jetën i detyrohen kësaj mos kokëçarje të qeverisë, e cila në të gjithë botën ndëshkohet. Në vend që të shërojë plagët, po bën të kundërtën. Është ai që po thyen kodin e heshtjes, po sulmon kundërshtarët dhe sulmoi sidomos mediat.”, tha Abilekaj.

SHKARKO APP