Abilekaj: SPAK-u e “internoi” dosjen 184 në Dibër
“SPAK-u mund të merret me çdo administrator që blen një fshesë me korrent dhe nuk merret dot me asnjë zyrtar të lartë që mund të vjedhë zgjedhjet”. Kështu u shpreh Enton Abilekaj, teksa theksoi se SPAK nuk ka asnjë ndryshim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dikur.
Refuzimi i dosjes 184 nga SPAK
“Viti 2020 ka nisur me drejtësinë e re, në një përpjekje të re, për marrëveshje mes opozitës dhe pozitës, por deri tani nuk kemi asnjë lajm të mirë. Asnjë nga kërkesat e publikut nuk po merr përgjigje. Nuk po adresohet te SPAK-u asnjë nga kërkesat. Vetëm dje, SPAK-u shpalli moskompetencë për çështjen e zgjedhjeve. SPAK-u mund të merret me çdo administrator që blen një fshesë me korrent dhe nuk merret dot me asnjë zyrtar të lartë që mund të vjedhë zgjedhjet. Kjo tregon se SPAK nuk ka asnjë ndryshim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dikur. Kjo ka ndodhur sepse i gjithë procesi është zhvilluar i tillë, i mbikëqyrur nga mazhoranca dhe drejtimi i SPAK-ut është marrë nga mazhoranca, praktikisht. Dosja tashmë është internuar në Dibër. Si çdo gjë e internuar, ajo do të ketë një degradim të vetin dhe do të mbyllet me aq”.
Ulja në tryezë e mazhorancës me opozitën jashtë parlamentit
“Ulja në tryezë e pozitës me opozitën, pa realizuar kushtin minimal që opozita vendosi në 2019, pa realizuar thelbin e të gjithë protestës që shkaktoi kaos në vend. Kërkohej zgjedhje të lira dhe dënimi i autorëve të deformimit të votës. Nëse nuk ka ndëshkim për çfarë ka ndodhur, nuk mund të ulesh në një tryezë për ndryshimin e kodit zgjedhor”.
“Opozita të ndajë mendjen, të mos devijojë për interesat e veta”
“Edi Rama është mandatuar për negociatat, nuk është mandatuar Lulzim Basha në opozitë. Basha është mandatuar të vrojtojë qeverinë dhe jo për ta drejtuar atë. Rama duhet të marrë masat për ta bërë. Opozita duhet të ndajë mendjen nëse janë për rrugën imponuese nëpërmjet një aleance me shoqërinë apo janë në rrugën politikisht korrekte nëpërmjet një aleance me komunitetin ndërkombëtar. Këta nuk mund të tallen as me elektoratin dhe as me shqiptarët, nëse devijojnë për interesat e tyre, atëherë ata nuk përfaqësojnë asnjë gjë”.
Zgjedhje të parakohshme?
“Askush nga ata që mbështetën opozitën në 2019, përveç militantëve dhe anëtarëve, nuk e bëri këtë për të ardhur në pushtet Basha apo Kryemadhi, por për të ndryshuar sistemi politik. Në këtë kauzë mund të bashkohej edhe një votues i Edi Ramës. Por këta këtë kauzë e shndërruan një kërkesë për të ndryshuar pushtetin, por nuk u kërkua rotacion politik, por u kërkua ndryshimi i kushteve dhe më pas vendos populli në kushte të barabarta”.
/A2 Cnn/