Absurdi teatral me Teatrin Kombëtar shqiptar!
Nga: Nora Malaj
Në Komisionin e sotëm të Edukimit ishin të thirrur përfaqësuesit e Teatrit Kombëtar, intelektualët që i janë bashkuar kauzës së mbrojtjes së Teatrit Kombëtar dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës. Absurdi qëndron te fakti se përfaqësuesit e MK nuk kishin kapacitete për të mbrojtur nenet e ligjit të turpshëm të Teatrit Kombëtar, që shemb Teatrin dhe mbi të ndërton kulla, pasi nuk kishin asnjë dokument për të treguar inventarin dhe pronësinë e objektit.
Askush nuk është kundër ndërtimit të një Teatri Kombëtar të rivitalizuar, po askush nuk ka të drejtë të marri pasurinë kombëtare e ta përdori si të dojë, duke humbur e shkatërruar memorien kombëtare.
Në vitin 1912 figurat e shquara të Kombit nga Hilë Mosi dhe Risto Siliqi kanë thënë për gazetën “Rilindja e Shqypnisë” se: “Teatri është shkolla e dytë për ndriçimin e një kombi”. Ka ardhur koha që intelektualët, si pjesa më e përparuar e vendit, që u dhimbsen fatet e atdheut, që kanë qenë në çdo periudhë të historisë, kudo në botë, si opozita e vërtetë dhe më e vendosur që nuk lufton për privilegje e karrige, të thotë fjalën e saj përfundimtare.
Qëndrimi indiferent në këtë situatë kur pushtetin shtetëror e kanë uzurpuar kriminelët, kolltukofaqët, trafikantët, kontrabandistët dhe gjakpirësit e të gjitha kallëpeve, t’u jepet fund, që Atdheu ynë të ecë i lirë përpara drejt progresit në rrugën e përparimit dhe të dinjitetit njerëzor.
Të injorosh, të mos përfillësh mendimin e figurave të tilla, ikona të kulturës kombëtare si Robert Ndrenika, Bujar Asqeriu, Mirush Kabashi, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Tinka Kurti e shumë e shumë aktorëve tanë të shquar më të rinj të skenës dhe ekranit është jo vetëm një injorancë, por një krim kombëtar.
Sot duhet mbrojtur historia e Teatrit, jo Teatri absurd për të humbur identitetin kombëtar dhe historitë e përditshme të jetës sonë, duke mbrojtur ligjet për interesat e qytetarit dhe çdo shqiptari, pasi historia e vendit është historia e secilit prej nesh. Sot Ministria e Kulturës rishtazi tregoi që është e pa aftë dhe e kapur!
*Deputete e LSI-së, shkrimi është postuar në rrjete sociale