Abuzimet gjatë festave, çmimet do të monitorohen nga Autoriteti i Konkurrencës
Çmimet ushqimeve dhe pijeve do të monitorohen nga Autoriteti i Konkurrencës, me qëllim parandalimin e abuzimeve, veçanërisht gjatë festave të fund-vitit. Konkurrenca fton qytetarët të denoncojnë raste të ngritjes artificiale të çmimeve. Të gjitha subjektet që do të abuzojnë me çmimet do të ndëshkohen me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës.
“Sigurojmë qytetarët se do të identifikojmë dhe ndëshkojmë çdo fenomen të mundshëm të ngritjes artificiale të çmimeve që mund të shkaktohet nga praktikat jo të drejta të konkurrencës. Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
Sjellim në vëmendje të rrjeteve të ndërmarrjeve tregtare se, shkelja e ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës