Abuzimi me fëmijët/Godole: Kemi mentalitet si para 30 viteve, përgjegjësi jo veç shkolla
Jonila Godole, drejtore e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë thotë se problemi më i madh në plagën e thellë të abuzimit me fëmijët, është mentaliteti ynë që akoma nuk ka ndryshuar, edhe pas 30 vjetësh dhe e dyta është mungesa e besimit tek njëri-tjetri dhe institucionet.
”Është një çështje e gjerë dhe për mua këto janë pasoja se si kur këto krimet ndodhin në syrin tonë si rasti i 15-vjeçares kur të gjithë ishin në dijeni dhe askush nuk fliste. Është mungesë e besimit se ku do që të shkojmë të ankohemi nuk do gjendet e drejta. Shumë të tjerë abuzues janë dënuar më parë dhe s’e kanë kryer dënimin, duke dalë nga burgu përmes korrupsionit apo pagesave nën dorë, që më tej çon në vetëgjyqësi ose tek heshtja ku është futur shoqëria jonë, por sidomos ato familje që abuzohen”.
Godole kritikoi rolin që media ka pasur në raportimin e rasteve të tilla, duke ekspozuar më tej viktimat e duke çuar në viktimizimin e mëtejshëm të tyre. Sa i përket çështjes së dhunës në shkollë apo sjelljes së dhunshme tek fëmijët, për Godolen përgjegjësia nuk i duhet lënë e gjitha shkollës, edhe pse ajo është e para që sulmohet dhe akuzohet.
Sipas saj, rol vendimtar në këtë pikë ka shkolla si një institucion ku fëmija kalon një pjesë të mirë të ditës dhe ku fëmija brumoset me argumente që ndoshta edhe mund të mos i pëlqejnë, por janë ato të duhurat me të cilët duhet të formohet personaliteti i tij.