Abuzoi seksualisht me të miturën, gjykata liron 72-vjeçarin në Sarandë
Gjykata e Sarandës ka liruar 72-vjeçarin Bajram Tusha, i akuzuar për abuzim seksual me të mitur. Gazetarja Silvi Sulaj raporton për abcnews.al se gjykata ka zëvendësuar masën e sigurisë për Tushën nga “arrest ne burg” ne “arrest në shtëpi”.
Një vajzë 17-vjeçare denoncoi në polici 72 vjeçarin në prill të këtij viti, duke pohuar se kishte abuzuar seksualisht me të që kur ka qenë 9 vjeçe
Ngjarja e rëndë tronditi opinionin publik disa muaj më parë. Nga dosja e prokurorisë bëhej me dije se me të miturën kishin abuzuar edhe dy persona të tjerë.
Vajza është abuzuar që në moshën 9-vjeçare nga Bajram Tusha, ndërsa në dosje thuhet se me këtë të fundit familja e saj ka pasur edhe një marrëdhënie krushqie.
Gjatë hetimit është bërë dhe një përgjim ambiental, ku u mbledhën prova, të cilat çuan në arrestimin e të moshuarit.
Ndërkohë një version tjetër i historisë pretendohej asokohe nga prindërit e 17 vjeçares. Në një prononcim për mediat ata u shprehën se vajza është manipuluar nga i dashuri i saj, duke mohuar kështu se e bija është abuzuar seksualisht nga 72-vjeçari Tusha.
Ky i fundit i ka mohuar vazhdimisht akuzat, ndërkohë gjykata tashmë ka vendosur lirimin e tij nga qelia.