Acari në Korçë, nesër mësimi fillon në 09:00
Reshjet intensive të borës dhe temperaturat e ulëta kanë “mbërthyer” Shqipërinë. Reshjet e borës dhe ulja e temperaturave ka bërë që në disa prej akseve rrugore të ketë probleme sa i takon qarkullimit të automjeteve. Ngricat kanë krijuar probleme edhe në disa shkolla në vend, ku nxënësit kanë bojkotuar mësimin.
I ftohti i acartë ka sjellë mbylljen e dy shkollave në Bashkinë e Maliqit, ndërkohë që në të gjitha shkollat e tjera mësimi është zhvilluar me orare të reduktuara. Edhe në shkollat e tjera, pavarësisht se nuk mungon ngrohja, orari u reduktua, pasi temperaturat zbritën nën -10 gradë Celcius, ç’ka solli vështirësi për nxënësit.
Kryebashkiaku Sotiraq Filo, thotë se janë marrë të gjitha masat që ngrohja të mos mungojë, ndërsa shton se duke filluar nga nesër mësimi do të fillojë në orën 09:00 në Korçë.
Prononcimi për Report Tv i kryetarit të bashkisë së Korçës
Si është situata në shkollat e Korçës?
Korça është përfshirë nga një mot me temperatura të ulëta dhe dëborë, por bashkia ka marrë masat që shkollat të ishin pajisur me ngrohëse. Nuk kemi problematika në shkolla.
Procesi vijon normalisht?
Po, vijon por në orare të reduktuara, sipas një vendimi nga DAR. Duke filluar nga nesër deri në fundjavë mësimi do të fillojë në orën 09:00.
Nuk ka probleme?
Nuk ka probleme me ngrohjen as në qytet dhe as në fshat. I kemi marrë masat. Për shkak të temperaturave ekstreme, mund të mos jenë në kushte optimale, por kemi bërë maksimumin dhe kemi garantuar zhvillimin e procesit mësimor.
KOHA JONË SONDAZH

