Açka: Disa opozitarë këtu më të fuqishëm se ministrat! Janë pasuruar, nga shtëpia në Brryl kanë vila nëpër kodra
Deputetja e pavaruar, Flutura Açka dha votën kundër për daftin e ndryshimeve elektorale. Açka u tregua e ashpër edhe me deputetët opozitarë, duke i akuzuar si njerëz që kanë përfituar leje ndërtimi dhe janë më të fuqishëm se disa ministra. Ajo u shpreh se opozitarë të tillë kanë ndërruar edhe shtëpi dhe tani jetojnë në vila luksoze në kodra, komenti i cili ngjalli dhe irrtimin e Edmond Spahos, deputetit të Rithemelimit.
”Unë jam prej atyre njerëzve që kanë qenë jashtë Parlamentit dhe politikës. Në 2021 hyra në Parlament për ta njohur nga brenda politikën. Nga jashtë e kam kritikuar si gjënë më të keqe. Ajo që vërejta kur hyra ishte fakti që koha kalenderike jashtë dhe këtu brenda nuk përputhen. Atje jashtë njerëzit kanë ëndrra kur vijnë këtu brenda kanë ethe personale. Këtu është baza e konfliktit me debatin sot për Kodin Zgjedhor.
Ne sot po dalim kundër sensit në Kushtetutë për të menduar atë ëndrrën aty jashtë. Them votën time kundër. Shumë opozitarë e shanë kodin tuaj sot. Megjithatë do e votojnë. Sepse disa opozitarë këtu janë pasuruar në opozitë. Kanë ndërruar adresat, nga Brraka, apo Medresja, Rrapi i Treshit jetojnë tani nëpër vila dhe kodra. Po, po opozitarë. Disa opozitarë këtu kanë fuqi më shumë se ministrat tuaj. Sepse kanë marrë leje ndërtimi, resorte dhe përkëdhelen prej jush”,-tha Açka.