Açka: Ka 5-6 grupime në parti, të ç’berishuarit nuk do ia falim Ramës
Deputetja Flutura Açka e cila nuk është as ze PD e Berishës apo dhe e Bashës, i dha përgjigje disa pyetjeve mbi lëvizjen me të cilën ajo dhe deputetët Enkelejd Alibeajt, Dashamir Shehi dhe Arbër Agalliu do të hyjnë në zgjedhjet e 2025.
Açka akuzoi Sali Berishën dhe Lulzim Bashën se kanë copëzuar Partinë Demokratike, çka çoi sipas saj edhe në faktin që një pjesë e opozitës të konvertohej në zgjatim të qeverisë.
“Në një klub ku shahet SPAK-u, ku shahet ambasada amerikane, ku shahen ndërkombëtarët, do të jetë e vështirë të jemi të gjithë përfaqësues në atë klub. Kjo është ajo ndarja që ka ndodhur në opozitë dhe nuk ka ardhur për faj të kësaj pesësesh, por për një çështje më të gjerë. Ky grup i vogël nuk mund të ndryshojë gjë në atë parlament të kalcifikuaar, por synon të rrisë ndjeshmërinë publike për faktin që opozita nuk i ka bërë mirë detyrat e saj dhe po shkon në 2025 e përçarë. Një përçarje që erdhi nga lidershipi i saj, nga të dy. Sikur të kishte vazhduar ajo çarje në dy, që të dyja pjesët të forcoheshin si të pavarura dhe në prag të zgjedhjeve ndoshta të bashkoheshin në një koalicion, do të ishte më mirë”,-tha në A2cnn.
E pyetur nëse lëvizja e krijuar rishtazi prej tyre është anti-Berishiste, Açka u përgjigj duke thënë se alternativa e re do të jetë “shtëpi” për të ç’berishuarit që nuk e gjejnë veten në PD e sotme dhe njëherësh refuzojnë të votojnë për PS.