Adi Krasta: Ditët ‘në izolim’, nga kafja e parë te ‘tërheqja në dhomën e Mbretit
Adi Krasta flet për karantinimin si për një ‘bunker artistik’. E fillon ditën me kafenë e mëngjesit dhe CNN dhe e mbyll me telefonin mobil ku lexon libra dhe sheh filma ‘marvel’ në televizorin e dhomës së gjumit. Ato që thotë nuk dëshmojnë dikë që ndihet i deprivuar.
Çfarë imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota) të përballeshme me Covid-19?
Karantina përmendej hapur si një ndëshkim. Në fëmijërinë tonë, kur thuhej “e futën në karantinë” na dukej se, përveç vetmisë, dramës, izolimit, kishte kjo fjalë edhe një kuptim tjetër, të fshehtë, që nuk kishim mundësi ta deshifronim dot.
Edhe pse sot ka shumë ankesa nga ata që nuk e kuptojnë domosdoshmërinë e karantinës për të mos infektuar e për të mos u infektuar, më duket spektakolar suksesi mbarëbotëror në vetëmbylljen e njerëzimit në shtëpi. Jam rritur në shtëpi mjekësh dhe kam dëgjuar gjithë jetën për sëmundje infektive e viroza. Im atë ka qenë epidemiolog dhe ka treguar gjatë për masat që merreshin në raste të tilla, apo edhe ngjarje të veçanta, si udhëtimi i një grupi mjekësh në Kosovë, në vitin 1971, ku kishte rënë fruthi.
Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus? Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19?
Takimi ynë me vullnetin për të zbatuar rregullin, qoftë edhe ata të vendosur nga ne, ose vetëdisiplinimi, është si një takim me të vërtetën tonë të 500 vjetëve të fundit (ku nuk shkëlqejmë). Vazhdojmë ta zbatojmë rregullin me vuajtje. Po, mendoj se bota do ndryshojë seriozisht pas normalizimit. Edhe pse, si zakonisht, do harrojë menjëherë disa gjëra të rëndësishme, disa leksione do i mbajë mend gjatë. Sepse nuk është karantinimi i globit ngjarja më e rëndësishme- është karantinimi në komunikimin global online. E jashtëzakonshme.
Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë më pesimist apo optimist?
Nuk kam patur rast të shkoj te këto ekstreme. Mbylljen e kam pranuar si të domosdoshme. Gjithshka tjetër është rutina e shëndetshme brenda mureve.
Si ka shkuar koha gjatë karantinës: mund të përshkruash ditën tipike në izolim?
Kam fjetur keq (si zakonisht dhe e palidhur kjo me koronën). Jam zgjuar me gëzimin e brendshëm të kafesë së parë. Më qëllon ky moment me fillimin e programit të Alisyn Camerotes dhe John Berman në CNN (Ky stacion do më kishte dërguar një dhuratë po ta dinte që e shoh sa herë hedh sytë në televizor). I gjej punën e parë fizike vetes. (Çezma që rrjedhin, fotografi që varen në mur, agrumet në ballkon). Zhvilloj mësimin online në UBT. Ky ka qenë një zbulim interesant. Nuk të fshihet dot njeri për të munguar pa arsye të fortë). E ngrëna nuk ka qenë kurrë një ngjarje e rëndësishme për mua. Një gjumë pasdreke, po. Kafeja e pasdites na rikthen në pasditen e Londrës. E bindim veten se kafenë mund ta shoqërojmë me një ëmbëlsirë, e se kjo nuk është fundi i botës dhe se vetë Coronavirusi trembet nga ëmbëlsirat. I kthehem CNN me seriozitetin që do e kishin zili punonjësit e tij. Më pëlqen John King. Më duket se bën gazetarinë që më pëlqen mua. Vazhdimisht kritikon presidentin Trump për gënjeshtrat dhe narcisizmin. Në mbrëmje bëj një raund telefonatash. Me mamën time, me motrën që punon në Spitalin Infektiv dhe është vërtetë heroina e familjes.
Pastaj përdor çdo natë shprehjen perandorake: “I am retiring now in my chambers…” dhe shkoj në dhomën e gjumit. Eshtë 21:00. Në celular lexoj libra të marrë në e-books dhe shoh filma. Miqtë e të afërmit nuk m’i kursejnë romuzet, por unë nuk kam probleme me ekranin e vogël. Derisa bëhet seriozisht vonë dhe do të më duhet të bëj atë gjumin e keq për të rifilluar me besnikëri të njëjtën rutinë në zgjimin e ditës së re.
Cilët filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?
Po shoh filmat Marvel, si ‘Defenders’, ‘Iron Fist’ dhe ‘Jessica Jones’. Nuk dua të vuaj me filma dramë. Dhe intervistat e BBC me personalitetet e shekullit 20. Dhe ciklin ‘Newsroom’. Impenjim i madh! Miku im Lut Dervishi nuk harron të më dërgojë disa publikime të shkëlqyera. Ndaj lista e librave është shumë e përshtatshme për karantinën. “A warning – Anonymous”, “Narrow Corridor” mbi fatin e lirisë. “The Ambassadors” të Paul Righter./politiko