Administrata “shtrëngoi rripin” – Shpenzimet u shkurtuan me 53 milion euro në Mars
Shpenzimet në tre muajt e pare të vitit rezultuan 6.6 miliardë lekë apo rreth 53 milionë euro në raport me planin, ku një ndër arsyet kryesore ishte zbatimi i urdhrit për reduktimin e tyre për shkak të masave të marra ndaj COVID-19.
Sipas të dhënave zyrtare të financave, shpenzimet totale ishin planifikuar në 112.8 miliardë lekë dhe janë reduktuar në masën e rreth 106.2 miliardë lekëve.
Shkurtime kanë pësuar të gjithë zërat, përveç investimeve, të cilat kanë tejkaluar planin me rreth 3.5 miliardë lekë si dhe pagesave sociale.
Kështu, shpenzimet për personelin u regjistruan në 18.7 miliardë lekë, apo 900 milionë lekë më pak se plani. Shpenzimet për interesa po ashtu rezultuan 600 milionë lekë më pak se plani dhe u paguan në total 9 miliardë lekë.
Për shpenzime operative dhe mirëmbajtje janë paguar afro 9.4 miliardë lekë deri në Mars të 2020 me një rënie shumë të lehtë në raport me planin.
Po ashtu janë reduktuar ndjeshëm pagesat për pushtetin vendor me rreth 3.3 miliardë lekë, ndërsa për pagesa sociale ka shkuar një buxhet prej rreth 7.2 miliardë lekësh, duke tejkaluar planin me rreth 1.5 miliardë lekë.
Ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, shpenzimet totale kanë pësuar një rritje prej 1.6 miliardë lekësh.