Adrian Civici: Mbi 90% e pensioneve janë më të ulëta se minimumi jetik
Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici ka komentuar studimin ekonomik “Sistemi ekonomik dhe roli i shtetit në shoqëri”, i realizuar nga vetë ai dhe Selami Xhepa. Në këtë studim kanë dalë të dhëna interesante sesi shprehen të moshuarit për pensionet që marrin dhe a mjaftojnë ato për të plotësuar nevojat bazike të jetës.
Studimi ka nxjerrë konkluzionet se 89% e personave që janë mbi 60-vjeç janë shprehur se pensioni është i pamjaftueshëm për nevojat e mbijetesës. Nga studimi ka rezultuar se mbi 90% e pensioneve janë ndjeshëm më të ulëta se paga minimale dhe minimumi jetik.
Një tjetër konkluzion është se 70% e të moshuarve nuk janë aspak dakord ose disi dakord që të përfshihen në skema alternative si pensionet suplementare apo pensionet private.
Për të dhënat e mësipërme, Civici tha për ”Euronews Albania”, se pensionet në Shqipëri janë shumë të ulëta dhe si tilla nuk plotësojnë kushtet minimale të të moshuarve. Ai theksoi se shumat që marrin të moshuarit janë akoma më të ulëta sidomos në pensionet e fshatit apo pensionistët që kanë qenë gjatë kohës së punës me paga të ulëta.