Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës: Avioni bëri ulje të detyruar pasi pësoi një avari. Nuk ka të lënduar
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, ka reaguar zyrtarisht lidhur me incidentin që ndodhi sot me një avion zvicerian në pistë, i cili për shkak të një avarie bëri ulje të detyruar. TIA thekson po ashtu se avioni kishte 4 persona në bord, dhe nuk ka asnjë të lënduar.
”Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar dhe të katërt gëzojnë shëndet të plotë. Pasagjerëve u dha ndihma e parë menjëherë. Pas lajmërimit të Organit Kombëtar të Investigimit të Incidenteve Ajrore dhe kryerjes së investigimit, avioni u zhvendos nga pista. Si pasojë, fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, u pezulluan për 1 orë e 45 minuta”,-thuhet në njoftimin për shtyp.
Njoftimi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njofton se në orën 16.15 të datës 28 Shtator 2021, një avion i vogël model Beechcraft me regjistrim zviceran HB-EFH, me 4 persona në bord, dy të rritur dhe dy fëmijë, të gjithë shtetas zviceranë, bëri ulje të detyruar në mes të pistës pasi pësoi një avari në sistemin e rrotave. Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar dhe të katërt gëzojnë shëndet të plotë. Pasagjerëve u dha ndihma e parë menjëherë.
Pas lajmërimit të Organit Kombëtar të Investigimit të Incidenteve Ajrore dhe kryerjes së investigimit, avioni u zhvendos nga pista. Si pasojë, fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, u pezulluan për 1 orë e 45 minuta.
Për momentin gjithçka në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës i është rikthyer normalitetit. TIA mbetet në dispozicion të çdo pasagjeri dhe falenderon të gjithë udhëtarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.