Afera CEZ: RENEA mbron dëshmitarin pas zbulimit të emrit

Pas bërjes publike të identitetit dhe pas publikimit të intervistës me dëshmitarin e aferës miliona euroshe të CEZ, policia ka shtuar masat e sigurisë për ruajtjen e tij.

Mësohet se për ruajtjen e dëshmitarit Elvis Mataj, janë shtuar edhe dy efektivë të tjerë të forcave speciale të RENEA-s.

Pra, në total janë 6 efektivë të RENEA-s nga 4 që ishin për ruajtjen e dëshmitarit kyç, ku i përfshirë në këtë aferë është edhe Ilir Meta.

Mataj lëviz i shoqëruar gjatë gjithë kohës nën mbikëqyrjen e forcave speciale të veshur civilë.

Gjatë daljes në publik, Mataj dhe efektivët e RENEA-s përdorin një Hummer, të njëjtin automjet që u përdor edhe për mbrojtjen e deputetit Tom Doshi, kur u përfol se ndaj tij ishte organizuar një atentat, ku sërish dilte emri i kreut të Kuvendit.

Burime të sigurta thonë se shtimi i dy efektivëve të RENEA është bërë me urdhër të Kryeministrit dhe se, dëshmitari është nën mbrojtjen personale të tij.

Të njëjtat burime shtojnë se Mataj disponon dosje voluminoze për skandalin e CEZ prej 130 milionë eurosh, megjithëse ato që thuhet se kanë dalë në publik, nuk janë bërë publike nga dëshmitari.

Në lidhje me këtë skandal, PD dhe LSI kanë kërkuar prokurorë amerikanë për të hetuar çështjen.

SHKARKO APP