Afrim Krasniqi: Dvorani vrau reformën në drejtësi
Politologu Afrim Krasniqi shprehet se qëndrimet e Presidentit Meta për përfundimin e mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe kreut të KED, Ardian Dorani janë 100 % të sakta.
Në një analizë të publikuar në rrjetet sociale, Krasniqi shprehet se njeriu Dovrani është zgjedhur në Gjykatën e Lartë për një mandat prej 9 vitesh, ndërsa sot ka 15 vjet në detyrë. Sipas tij, vetëm ky fakt është i mjaftueshëm për të rrëzuar çdo qëndrim të Dvoranit dhe atyre që mbrojnë vijimin e detyrës nga ai.
Krasniqi shprehet se rasti i Dvoranit ka vënë në provë dhe gjithë reformën në drejtësi edhe është tregues i problematikave të saj.
Analiza e plotë e Afrim Krasniqit për rastin “Dvorani”:
“Demokracia nuk është vetëm procedurë. E njëjtë edhe Reforma në Drejtësi. Ajo kërkon profesionalizëm e integritet që të besohet se është “reformë” dhe do të sjellë “ndryshim”. Rasti “Dvorani” është një test domethënës. Atij i ka përfunduar mandati kushtetues në shkurt 2014, pra 6 vjet më parë, por në respekt të procedurës kushtetuese vijon në detyrë në pritje të zëvendësimit dhe me këtë rol vijon edhe kryetar i KED.
Presidenti rrallë ka pasur të drejtë në interpretimet kushtetuese, por në këtë rast është 100% i saktë. Procedura ka vlerën e vet, por me siguri asnjë mbledhje e KLGJ, asnjë votim i fshehtë, asnjë opinion dhe asnjë alibi nuk mund të bindë më se njeriu me 15 vjet mandat në një post për të cilin ishte zgjedhur për 9 vjet, do të duhet të qëndrojë edhe më tej në Gjykatën e Lartë dhe rrjedhimisht edhe në krye të KED. Gjykata e Lartë i ka 3 anëtarë me mandat të rregullt kushtetues. Ndofta ndonjë prej tyre nuk është më i aftë sesa ai më + 6 vjet mandat, por së paku secili është shumë më legjitim. Sa për KED, ai e mori vlerësimin nga opinioni i Komisionit të Venecias. Nëse as në raste të tilla s’kemi vullnet e aftësi të tundim konceptin e korporatës në drejtësi, atëherë përse ende quhet Reformë dhe pse presim që ndryshimi i njerëzve pa prekur sistemin do të sjellë Drejtësi?”