Agalliu: Gratë në fillim i vrasim në familje, pastaj i vret shteti, e në fund vrasësi
Ish-kandidatja e ish-LSI për deputete, psikologia Aurela Agalliu në kuadër të 8 Marsit, thotë se gratë në Shqipëri në fillim i vret familja, më pas shteti e në fund vrasësi. Duke vijuar shpjegimin e saj, Agalliu tha se mungon ndihma nga pushteti vendor, pasi gratë e prekura nga dhuna nuk kanë asistencë nga Bashkia. Sipas psikologes duhet të krijohet një hartë që të identifikojë individët që mund të rrezikohen nga dhunuesit e tyre.
”Ekspertët në gjykatë paguhen në rastet e divorceve, dhe paguhen nga shteti për familjet me ndihmë ekonomike. Problemi fillon tek zanafilla e mbarimit të një martese. Kur gratë marrin iniciativë për t’u divorcuar fillon lufta personale pasi burri e quan fyerje të egos. Përdoren fëmijët, kërcënime, kemi kaluar në një fazë që hyn në punë urdhri i mbrojtjes.
Nuk kemi ndihmë nga pushteti vendor. Bashkitë nuk asistojnë gratë e prekura nga dhuna, nuk kemi patrullime policie. Duhet të ketë hartë për individët që mund të rrezikohen nga dhunuesit. Kjo do ndihmonte dhe këto gra. Ndërgjegjja qytetare funksionon, por njerëzit kanë frikë të denoncojnë për nga mënyra si drejtësia funksion. Korrupsioni ka zbehur rëndësinë e një krimi.
Kur jepet masa e parë e urdhrit të mbrojtjes gratë më pas vijnë me një pendesë në Gjykatë, por duket që janë në trysni dhe të kërcënuara nga partnerët. Në rast se do vazhdojnë urdhrin e mbrojtjes do i vrasin, sytë e tyre funksionojnë më shumë. Kemi problem në bërthamën e familjes. Ka diskriminim gjinor brenda familjes. Po bëjmë aborte për shkak të gjinisë pasi akoma nuk i kemi dhënë rëndësinë e duhur. Gratë në fillim i vrasim në familje, pastaj i vret shteti, e në fund vrasësi. Një grua e dhunuar e ka ndihmën ekonomike 3 mijë lekë të reja”,-tha në ”MCN TV”.