Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes kërkon akses në TIMS! Drejtori: Po nuk erdhi në kohë, informacioni s’ka vlerë
Ndryshimet në ligjin që prekin edhe Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të propozuara nga qeveria, kaloi në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Ekonomisë, mes debatesh. Drejtuesi i Agjencisë, Ardian Bali, jep arsyet pse është me vlerë aksesi.
“Informacioni është fuqi. Një informacion që nuk vjen në kohën e duhur nuk ka më çfarë të duhet. Nëse nuk merret vesh në kohë reale se shtetasi X ka kaluar në pikën kufitare, ai informacion e ka kaluar vlerën pastaj. Vetë cikli për të marrë informacion të policia do kohën e saj dhe e humbet vlerën. Sa më shumë informacion të kemi, aq më të aftë jemi për të dhënë një produkt inteligjence”, shprehet Ardian Bali, drejtor AISM.
Nga ana tjetër, një tjetër ndryshim i rëndësishëm parashikuar në projektligj është emërimi i zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i cili do të jetë civil.
“Nëse ushtarakët, për shkak të gradave që kanë, në vijim mund të lëvizin nga një strukturë në tjetrën në ushtri, e njëjta gjë nuk mund të ndodhë me stafin civil të Agjencisë. Për këtë arsye, për shkak të ngritjes në karrierë, është propozuar që posti i zëvendësdrejtorit të jetë i pastër si civil dhe pjesa civile e shohin veten nga momenti i rekrutimit deri në arritjet e majave të karrierës siç është posti i zëvendësdrejtorit”, tha Bali.