Agron Duka: Të gjithë ata që pas 7 vitesh u kujtuan për lista të hapura, të marrin verdikt nga populli me referendum

Kreu i PAA,Agron Duka ka kërkuar që ndryshimet kushtetuese që sjellin lista të hapura të bëhen me referendum.

Sipas Dukës 30 korriku do të sjellë izolimin e Shqipërisë pasi prish arrëveshjen e 5 qershorit që u arrit në emër të perspektivës europiane.

Duka thotë se PAA mbështet listat e hapura dhe çdo nismë që demokratizon parlamentin shqipar, por jo me të këtë frymë antidemokratike që po ndërhyhet në Kushtetuta.

STATUSI NGA AGRON DUKA
Ndryshimet e njëanëshme të Kushtetutës janë emblema më e mirë e një mazhorance pa bilanc, që në pamundësi për të fituar besimin në zgjedhje, zgjedh hilen përpara alternativës. Këto ndryshime nuk janë vetëm të pamoralshme, por edhe dëshmia se në këto kohë të vështira për ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve, kryeministri dhe ata që bredhin verbërisht nga pas, mendojnë vetëm për hallin e tyre. Dhe ndërsa të gjitha energjitë e klasës politike do të duhej të ishin të fokusuara te integrimi, duke përfituar nga presidenca e radhës e BE-ë nga miqtë tanë gjermanë, zgjedhin të bëjnë krejt të kundërtën. Diçka që nuk rrezikon vetëm ecjen e mëtejshme, por me vendimet e njanëshme që prishin dakordësinë e 5 qershorit, rrezikohet edhe kthimi mbrapa ose bllokimi i mëtejshëm i negociatave. Dhe nëse 5 qershori u arrit në emër të perspektivës europiane, 30 korriku po çohet përpara në emër të dumbabizmit dhe izolimit të Shqipërisë.

Partia Agrare Ambientaliste ka qenë dhe është gati të mbështesë çdo propozim për demokratizimin e Parlamentit, për lista të hapura dhe çdo ndryshim që mund të sjellë garë dhe ndarje efektive të pushteteve, por kurrsesi nuk mund të pajtohemi me frymën antidemokratike me të cilën po ndërhyet në ligjin themelor të Republikës. Të gjithë ata që pas 7 vitesh u kujtuan për popullin dhe për lista të hapura, le të marrin një verdikt prej tij. Jo me facebook, por me REFERENDUM!

 

SHKARKO APP