Agron Malaj, kryetari i të gjithëve

Nga Hasan PASHA

Fushata e re zgjedhore nis zyrtarisht në të gjithë vendin. Për kryetarët që rikandidojnë qytetarët bëjnë bilancin e punës së tyre 4-vjeçare. Me të drejtë zgjedhësit shtrojnë pyetjen: A janë mbajtur premtimet e dhëna gjatë fushatës së kaluar? Ky bilanc për kryebashkiakun e Matit Agron Malaj është mjaft pozitiv. Duke shfletuar programin elektoral të vitit 2019 dhe duke parë çfarë është bërë në Mat, kupton se kjo bashki është transformuar rrënjësisht.

Agron Malaj ka thyer çdo tabu, ka bërë epokë, ka ndryshuar mentalitete. Ka bërë maksimumin për të “zbutur” luftën e egër politike mes dy “kampeve” politike. Askush nuk është ndëshkuar për bindje politike. Specialistët e aftë dhe të ndershëm vazhdojnë të punojnë në zyrat e bashkisë apo institucioneve lokale. Kush punon mirë është shok, mik, koleg i kryetarit të bashkisë. Nuk kishte ndodhur në tri dekada që një kryetar bashkie t’i përgjigjet në kohë reale çdo telefonate, çdo shqetësimi qytetar, madje edhe në rastet kur zgjidhja nuk i përket pushtetit vendor. Jo vetëm kaq. Malaj ka kërkuar me urgjencë t’i zgjidhjet halli çdo matjani.

Kryebashkiaku i Matit i ka kthyer dinjitetin administratës. Ka vënë rregull në çdo zyrë. Të gjithë në shërbim të qytetarëve. Specialistët dhe stafi “imitojnë” më së miri kryetarin, janë korrekt me çdo qytetar. Si një pushtetar vizionar Malaj ka ditur të motivojë vartësit të hartojnë projekte që as ishin menduar nga paraardhësit. Paraqitja e tyre dinjitoze pranë institucioneve shtetërore dhe të huaja solli miratimin dhe zbatimin e tyre, duke e bërë Matin më të bukur dhe tërheqës.

Rrugë të bllokuara, trotuare të zvogëluara, kasolle për kafshët në ambientet e banuara, sheshe të pushtuara, prona të mbajtura peng. Ishin këto shqetësime për mbartura prej shumë vitesh. Kjo situatë kaotike nuk u tolerua nga kryetari i bashkisë Mat Agron Malaj. Ndërhyrja në interes të qytetarëve ka marrë shumë përgëzime, falënderime dhe vlerësime.

Askush nuk e besonte se uji i malit të Dejës do të furnizonte 17 fshatra të Derjanit, Macukullit dhe Rukajve me ujë. Të gjithë ishin skeptikë se nga ky ujë do të furnizohen dhe qytetarët e Burrelit. Ëndërr në sirtar ishte rruga Burgajet-Derjan-Macukull. Vinin e iknin nga Macukulli kryeministra, ministra, deputetë, kryetarë bashkie e komune dhe rruga nuk ndërtohej. U desh këmbëngulja dhe vullneti i Agron Malaj që kjo rrugë të ndërtohet.

Janë më shumë se 68 projekte që janë drejt përfundimit dhe të tjera pritet të marrin jetë së shpejti. Dhjetra prej investimeve në kryera në shkolla, rrugë, trotuare, qendra shëndetësore, kopshte, çerdhe, puse, pastrim, objekte social-kulturore-sportive, etj, megjithëse nuk ishin premtuar para katër vitesh, ia kanë ndryshuar pamjen Matit.
Mati nuk është më treva e lënë në harresë. Nuk është bastioni politik që keqpërdoret nga pushtetarët lokal. Mati po merr vlerat që meritonte edhe më herët.

Kryeministri Edi Rama e ka vlerësuar Matin në tri drejtime; së pari, investimet në Mat kanë qenë mjaft të mëdha, kanë përfshirë çdo sektor, çdo pjesë të territorit, së dyti, Rama ka dërguar si drejtuese politike në këtë rajon numrin dy të qeverisë, një zonjë shumë të aftë, menaxhere e shkëlqyer, znj. Belinda Balluku, dhe së treti, Kryeministri i vendit ka mbështetur fuqishëm kryetarin e bashkisë Agron Malaj, kryetarin e çdo matjani…!

SHKARKO APP