Agron Neza në SPAK për ”McGonigal”, gazetarja zbulon detaje nga dëshmia
Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në studion e ”Open”, ka komentuar paraqitjen e Agron Nezës ditën e sotme në SPAK lidhur me çështjen “McGonigal”. Lala u shpreh se Neza u paraqit sot në SPAK për të dhënë shpjegime si person që ka dijeni lidhur me skandalin McGonigal. Ajo zbuloi se Neza është pyetur se cilat ishin kontaktet e tij me ish-shefin e kundërzbulimit të FBI, ku i gjeti paratë që i dha, si edhe kontaktet që vendosi ish-zyrtari gjatë kohës në Shqipëri.
”Agron Neza është paraqitur sot në SPAK rreth orës 12 për të dhënë shpjegime si person që ka dijeni lidhur me skandalin McGonigal që shpërtheu fillimisht në SHBA dhe më pas në Shqipëri. Nuk është pranuar nga SPAK se ka një hetim, por kjo e fundit është vënë në lëvizje nga një kallëzim i Gazment Bardhit. Nuk mund të them shumë detaje me atë që ka deklaruar Neza sot, pasi shumë aspekte të dosjes janë të paqarta edhe për prokurorët që kanë kërkuar ndihmë në SHBA.
Janë dy aktakuza nga SHBA, një ka të bëjë për shkeljen për oligarkun rus Deripaska dhe rasti që e lidh me Shqipërinë pritet të merret një vendim për të në muajin shkurt. Ajo që ne dimë për dëshminë e Nezës është se cilat ishin kontaktet e tij me McGonigal, ku i gjeti paratë që i dha, cilët persona e kanë kontaktuar, etj. Prokuroria është e rezervuar për këtë çështje edhe sepse procesi në SHBA ende nuk ka përfunduar. Gazment Bardhit po ashtu i është komunikuar që të mos ketë dalje publike lidhur me këtë rast”, u shpreh ajo mes të tjerash.