Ahmetaj: 500 banesa individuale do të përfundojnë në Durrës dhe 400 në Tiranë deri në 31 dhjetor
Pandemia vonoi procesin e rindërtimit në Shqipëri por brenda këtij viti pritet të bëhet strehimi i 900 familjeve.
Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë fjalës së mbajtur në komision ekonomie premtoi se përfitues do të jenë qytetarët të cilëve iu shembën banesat nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës dhe në Tiranë.
Ndërsa theksoi se 260 shtëpi individuale kanë pasur vështirësi në ndërtimin e tyre për shkak të terrenit malor.
Për këto ndërtesa qeveria do të përgatisë një vendim që do të përcaktoje dhe mënyrën e ndërtimit të tyre.
“Në bazë të kalkulimit që bëjmë me kompanitë, rreth 500 banesa do t’i kemi gati brenda 31 dhjetorit në zonë e Shijakut, Durrës dhe Manzë, ndërsa në Tiranë do të kemi rreth 400 banesa gati”, tha Ahmetaj.
Por si do të bëhet shpërndarja e banesave për familjet.
Sipas ministrit Arben Ahmetaj, në fillim do të përfitojnë familjet që janë në listat prioritare e më pas bashkitë do të vendosin në bazë të shortit
“Familjet në nevojë, nënat e vetme, familjet me anëtarë me aftësi ndryshe, familjet e policëve të vrarë… Pasi mbaron kjo Këshilli Bashkiak mbledh Komisionin për hedhjen e shortit”, tha ai.
Ahmetaj ngriti si shqetësim vonesat e zbatimit të projekteve nga donatorët për shkak të procedurave të tejzgjatura.
“Unë nuk jam i kënaqur me shpejtësinë e punimeve të tyre, sepse ata kanë procedura specifike, pra me atë pjesë nuk jam i kënaqur”, tha më tej Ahmetaj.
Brenda muajit nëntor në të gjithë vendin pritet të hapen themelet edh për ndërtimin e pallateve.
Në total fondi i buxhetit për rindërtimin për vitin e ardhshëm parashikohet të jetë 28 miliard lekë.