Ahmetaj: Në 2018-n rritja ekonomike 4.1%, ulëm borxhin

“Në 2018 ne e çuam rritjen ekonomike në 4,1%, ose 4 herë më shumë se sa e gjetëm”, deklaroi sot, kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Gjatë diskutimit të Kuvend të buxhetit faktik për vitin 2018, Ahmetaj tha se “lajtmotivi dhe shtylla kryesore e vitit 2018 ishte rritja me 4,5% e prodhimit të brendshëm bruto”.

“Thelbi kryesor është rritja ekonomike. Në debatin nëse duhet të rritemi 4%, apo 7%, apo 10% sigurisht që fiton dhjeta, por e morëm 1% dhe e çuam 4,1% rritjen ekonomike. 4 herë më shumë në kushtet e mungesës së plotë të kreditimit. Investimet private janë rritur duke u financuar nga kapitali, pra besimi i aktorëve në ekonomi ka ardhur duke u rritur”, tha ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ahmetaj tha se “kemi 3 elementë bazë që kanë kontribuar në rritjen e ekonomike”.  “Konsumi final i popullatës për 13 tremujore rresht ka ardhur duke u rritur. Ne erdhëm nga gropa greke, e lamë pas vetëm për shkak të reformave që ishin lajtmotivi i 2018-ës”, tha ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në aspektin buxhetor, Ahmetaj renditi uljen e deficitit buxhetor dhe rënien e borxhit publik. “Në datën 31 dhjetor të 2018 ka pasur 200 milionë euro në llogarinë e qeverisë për t’i përdorur gjatë periudhës 6, 7, 8-mujore. Ulja e borxhit është patriotike, ndërsa detyrimet e prapambetura duhet të hiqen njëherë e mirë si kulturë”, tha ai.

Ahmetaj theksoi se “të ardhurat shkuan për herë të parë duke u rritur, ndërkohë që kishim  rritje të prodhimit të brendshëm bruto”.

“Ekonomia matet me shifra dhe me rritje ekonomike. Për t’iu afruar BE-së ne duhet të kemi rritje ekonomike 7%, dhe jemi shumë larg pasi kjo nuk mund të bëhet duke bërë sherre atje e këtu. 7% rritje ekonomike do harmoni politikash dhe sociale. Nuk mund të bëhet nëse njëra palë lufton dhe tjetra vë shkopinj në rrota”, tha Ahmetaj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?