Ahmetaj: PD ka ikur nga parimet bazë mbi të cilat u themelua! Basha ka vetëm vulën, jo anëtarët e PD-së

Bislim Ahmetaj, një nga pjesëtarët e “Grupit për PD” në një prononcim për ATSH-në deklaroi sot se Lulzim Basha fshehu procesin zgjedhor, e kontrolloi atë dhe nuk bëri zgjedhje. Ai u shpreh se “Grupi për PD” ka në përbërje themelues të Partisë Demokratike dhe njerëz që i janë bashkëngjitur PD-së me vite.

“Ne na dhimbset Partia Demokratike, sepse na dhimbset Shqipëria. PD është një nga asetet më të çmuara të këtij vendi pavarësisht se ka disa vite që ka ikur nga parimet bazë mbi të cilat është themeluar, mbi parimet e votës së lirë, parimet e zhvillimit të karrierës. I ka shkelur këto parime dhe vazhdon t’i injorojë në mënyrë të përhershme”, u shpreh Ahmetaj.

“Nuk mund të them se ka qenë situatë më e mirë kur e udhëhiqte lideri historik Sali Berisha, por tani ka humbur çdo lloj rregulli, çdo lloj parimi dhe është në shkelje të plotë edhe të kushtetutës së vet edhe të statusit të saj, që nuk ka një rregullore të brendshme të miratuar Partia Demokratike. Edhe një organizatë me 20 veta, përveç statutit ka dhe rregulloren e funksionimit të brendshëm. PD e shkel statutin dhe nuk ka një rregullore të brendshme. Këto kanë qenë arsyet themelore se “Grupimi për PD”, është angazhuar që në vitin 2017 që ta  rikthejë partinë në shinat e parimësisë, në shinat e rregullit, në bazamentin prej nga ajo ka lindur, prej nga ajo është formuar si parti e lirive dhe e të drejtave themelore të njeriut”, tha ai.

Në lidhje me përgjegjësinë e Bashës për këtë situatë, Ahmetaj tha se “ai mund të jetë një njeri që pëlqen kaosin dhe jo rregullin dhe PD tani është një parti që nuk ka rregull, është një parti kaosi”.

“Basha i ka shërbyer këtij çrregullimi total të Partisë Demokratike me mungesën e lidershipit të tij, me mungesën e vendimmarrjes dhe me përsëritje të vazhdueshme me humbjen me kundërshtarin dhe fitoreve në kurriz të demokratëve dhe në kurriz të PD-së. Pra, kemi 3 fitore të Lulzim Bashës në PD me anëtarët e saj dhe kemi 5 humbje të Lulzim Bashës me kundërshtarin e e tij politik dhe Partinë Socialiste. Ai thjesht është një kontribuues dhe një njeri që i përshtatet teorisë së rastit. Po doli mirë është sukses i tij, po doli keq e shpërndan dhe e tejkalon te anëtarësia apo te populli apo te qytetari, që përveç votës nuk ka asgjë në dorë. Kjo ka qenë kërkesa jonë që ne të ndërtojmë një parti që u përket anëtarëve”, tha Ahmetaj.

Po si do punojë “Grupi për PD” për t’ia kthyer atë anëtarëve, Ahmetaj u shpreh për ATSH-në se kjo do të ndodhë përmes këmbënguljes se PD i përket anëtarëve dhe jo kryetarit.

“Rezultati që patëm në zgjedhjet e fundit ishte dëshpërues nga votat që mori kandidatja jonë Edit Harxhi, por procesi ishte krejtësisht në kaos, krejtësisht i penguar. Nuk patëm asnjë lloj mundësie që të zhvillonim një garë normale, nuk u njohëm me listat e anëtarësisë as ditën e  zgjedhjeve. Ato u shpërndan vetëm ditën e premte jo për kandidaten garuese, por për komisionet zgjedhore. Pra ishte një fshehje totale e procesit dhe një kontroll total i procesit nga kryetari në detyrë. Për mua ishte totalisht e panevojshme, sepse thjesht siguroi vulën dhe jo suksesin apo një lloj risie për PD”, tha ai.

“Grupi për PD” ka deklaruar se zgjedhjet brenda partisë ishin në kufijtë e pavlefshmërisë. Në lidhje me këtë, Ahmetaj tha se në një parti ku nuk respektohet statusi, nuk mund të respektohen as zgjedhjet. “Ajo e ka humbur pothuajse emrin e vet, nuk është më Parti Demokratike. Ne do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme ta vëmë atë në shinat e viteve ’90”, theksoi ai.

“Do të mundohemi që “Grupin për PD” ta zmadhojmë në mënyrë të përditshme, jo për veten tonë por për PD. I ftojmë anëtarë që të hapin mendjen dhe të mos shohin kryetarin por të shohin partinë si një instrument për të sjellë ndryshimin në qeverisje dhe për pasojë edhe ndryshimin për Shqipërinë”, tha Ahmetaj.

Në lidhje me deklaratën e Bashës, se beteja sa ka filluar, Ahmetaj tha se “kjo është beteja e Bashës për likuidimin total të PD-së”.

SHKARKO APP