Ahmetaj: Rritja ekonomike konfirmoi trendin pozitiv
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, e cilësoi rritjen ekonomike të 3-mujorit të dytë të vendit, si më të lartën në 8 vitet e fundit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti dje në një takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Shqipëri, Lóránt Balla.
Në fillim të takimit, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike, duke u ndalur gjithashtu në bashkëpunimet mjaft të frytshme dypalëshe midis dy vendeve. Guvernatori Sejko u ndal në zhvillimet ekonomike të vendit, ku u shpreh se ekonomia shqiptare ka vijuar të ecë me një trend pozitiv zhvillimi, e mbështetur nga përmirësimi i ambientit të huaj dhe kushtet e favorshme financiare në vend.
Ai theksoi se shifrat e fundit tregojnë një drejtim mjaft pozitiv, e megjithatë ambienti mbetet ende mjaft sfidues dhe nevoja për progres të mëtejshëm do të vazhdojë të jetë në vëmendjen e institucioneve shqiptare. Guvernatori u ndal edhe te procesi mjaft i rëndësishëm i anëtarësimit europian të Shqipërisë.
Në këtë kontekst, Sejko theksoi se mbështetja e një vendi anëtar në Bashkimin Europian si Hungaria, mbetet e një rëndësie të veçantë për hapjen e negociatave dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Lidhur me zhvillimet financiare, Guvernatori nënvizoi se sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm dhe Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ushtrojë me profesionalizëm rolin e saj rregullator, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të tij.
Nga ana e tij, ambasadori i Hungarisë theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike, strukturore e sektoriale, si dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria vitet e fundit. Ai theksoi se falë këtij progresi, Shqipëria ka tërhequr tashmë vëmendjen e mjaft vendeve, e veçanërisht në fushën e turizmit. Ambasadori shtoi se investitorë hungarezë kanë shfaqur interes për të investuar në sektorë të ndryshëm në Shqipëri.
Ai vuri në dukje se ky interes i shfaqur deri tani prej tyre mund të shërbejë për të rritur besueshmërinë dhe për të tërhequr më shumë investitorë edhe nga vende të tjera në të ardhmen. Nga ana tjetër, ambasadori u shpreh se vazhdimi i reformave është një element mjaft i rëndësishëm, frytet pozitive të të cilave do të ndikojnë pozitivisht në krijimin e një ambienti edhe më atraktiv për investitorët e huaj.
Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Pas publikimit nga INSTAT të rritjes ekonomike, ministri Ahmetaj u shpreh në rrjetet sociale se rritja 4,3 për qind konfirmon vazhdimin e trendit pozitiv. “Pas rritjes me 4.45 për qind në tremujorin e parë 2018, edhe tremujori i dytë konfirmoi vazhdimin e trendit të qëndrueshëm pozitiv të ekonomisë shqiptare, me rritjen në nivelin 4.32 për qind, ose mbi parashikimin tonë vjetor.
E llogaritur si 6-mujor, kjo është rritja më e lartë në 8 vitet e fundit! Konsumi, vijon gjithashtu ecurinë pozitive, duke shënuar rritje për 12 tremujorë radhazi”, u shpreh ministri. Kreu i Financave Ahmetaj tha se rritja ekonomike erdhi si rezultat i realizimit të reformave. “Dhe për ata që do dalin sërish të përçartin për rënie ekonomike, mbyllje biznesesh dhe varfërim të qytetarëve, ja ku është përgjigja. Emocionet politike nuk i zhbëjnë dot reformat, as zhvillimin ekonomik, as punën e përditshme në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe bizneseve”, tha Ahmetaj.
PAKETA FISKALE
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, lajmëroi se Paketa e ardhshme Fiskale do të sjellë lehtësi në taksa për qytetarët e bizneset. “Së shpejti me buxhetin dhe Paketën Fiskale 2019, të tjera lajme të mira dhe lehtësi të rëndësishme për të prezantuar”, u shpreh ministri në rrjetet sociale.
Ndërkohë, Ministria e Financave ka nisur punën për hartimin e Paketës Fiskale, ku në fund të muajit shtator pritet të ketë një draft përfundimtar që do të konsultohet me grupet e interesit. Në Paketën Fiskale, që është duke përgatitur qeveria për vitin e ardhshëm, ndryshime do të pësojë akciza e cigareve. Kjo taksë do të pësojë një tjetër rritje nga 5750 lekë për 1000 copë që është sot, në 6000 lekë për 1000 copë.
Po ashtu një tjetër ndryshim që është duke u diskutuar, është ai për uljen e kostove të imputeve bujqësore. Diskutimi do të jetë për uljen e TVSH-së apo përjashtimin e imputeve bujqësore, pjesë e programit elektoral të Partisë Socialiste. Një angazhim tjetër i maxhorancës në programin elektoral ishte ulja e tatimit të devidentit në 6 për qind brenda mandatit të dytë. Me Paketën e re Fiskale kanë nisur diskutimet edhe për reduktimin e kësaj takse. Aktualisht, tatimi mbi devidentin është 15 për qind. Propozimi nga biznesi është që kjo taksë të ulet në 9 për qind.
KOHA JONË SONDAZH

