Ahmetaj: Shpërblim për pensionistët në fund të vitit
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që të përgatisë paketën për dhënien e shpërblimeve në fund të vitit për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike.
Duke biseduar gjatë një mbledhje të komisionit me drejtues të Ministrisë së Financave, ai tha se ka marrë në dorë aktin normativ të ndryshimit të buxhetit dhe se është i bindur që aty janë alokuar edhe fondet për dhënien e bonuseve sipas një tradite 4-vjeçare.
Në fakt në aktin normativ të ndryshimit të buxhetit 2019 nuk parashikohet paketa e solidaritetit, e cila është përdorur çdo vit nga qeveria si instrument për të dhënë një shpërblim për shtresat në nevojë.
Vitin që shkoi qeveria dha 5 mijë lekë të reja shpërblim për çdo pensionist dhe po ashtu edhe për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me trajtim financiar të veçantë, paketë e cila i kushtoi buxhetit 30 milionë dollarë.