Ahmetaj sqaron paketat e ndihmës: Ja dy elementët thelbësorë
Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, deklaron se qeveria po bën gjithçka për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në këtë kohë të vështirë të përhapjes së koronavirusit, që ka goditur jashtëzakonisht rëndë ekonominë.
Mes të tjerash, ministri Ahmetaj, në një lidhje në “News24”, tha se qeveria e di që me këto paketa ndihme nuk e zhduk dot dhimbjen e qytetarëve, por ky është një hap i madh në ndihmë të tyre.
“Paketa e zgjeruar vjen tek instrumenti i ri i garancisë prej 150 milionë dollarë, i cili do të përgatitet këto dhjetë ditë në bashkëpunim me bankat, përbën një instrument specific që shumë vende e përdorin për të ndihmuar sipërmarrjen për likuiditet ose për investime, kryesisht te prodhime dhe shërbime, me një concept të ndarjes së riskut me bankat. Ca do të thotë kjo e fundit? Bunxheti vendos garancinë, bankat hyjnë me paratë e tyre përtej këtij instrumenti, dhe nëse raporti do jetë 50 me 50, hyn një instrument 300 milionë dollarë. Instrumenti është shumë domethënës për t’iu siguruar sipërmarrjeve likuiditete për mjete xhiro dhe për investime.
Është bërë një korigjim, për shkak të ankesave që kanë ardhur qoftë kryeministrit, qoftë gjithë neve që ndihmojmë në këtë situatë, dhe janë përfshirë taksitë, transporti. Të dyja paketat janë tejet të gjera dhe reflektojnë dinamikën e zhvillimeve”, tha Ahmetaj.
Pyetje: Qeveria është e angazhuar të ndihmojë punonjësit e larguar nga puna para datës 10 prill, po a ka këtu një nonsense logjik dhe ligjor, se e gjitha funksionon në bazë të kodit të punës…
Ahmetaj: Këtu nuk ka asnjë nonsense, por ka fullsens solidariteti, nga një qeveri e një vend që ekonomia është goditur jashtëzakonisht fort nga koronavirusi. Marrëdhëniet e punës përmes kodit të punës nuk i komandon qeveria. Qeveria është nën tutelën e kodit të punës vetë, ne nuk jemi mbi kodin e punës.
Ama vendosim të kemi këto paketa, në momente të vështira, në funksion të lehtësimit. Marrëdhëniet e punës në kohë epidemie janë të kushtëzuara qartë. Janë mbështetur rreth 90% e të punësuarve dhe të vetëpunësuarve në biznesin e vogël. Kanë ngelur jashtë vetëm ato sipërmarrje të vogla, që punojnë me brumëra, që furnizojnë me ushqime. Një qeveri e një vendi jo të pasur, që është goditur në masë të konsiderueshme nga koronavirusi, bën një hap të madh dhe mbështet gati 90% të të punësuarve dhe të vetëpunësuarve.
Ajo pjesë e biznesit të madh, përveç mbështetjes me 400 mijë lekë për punonjësit, ka në dispozicion dhe dy paketa. Nuk pretendojmë se më këto paketa kemi zhdukur dhimbjen e qytetarëve, në këtë kohë, që edhe kolerat e shekujve të kaluar nuk kanë të krahasuar, por është një hap i madh. Dinamika po funksionon kundër Shqipërisë, qytetarëve, të punësuarve, qeverisë, sepse nuk po shohim ndonjë lehtësim akoma. Nëse ka një krizë në Itali, të nesërmen e ke te ne, për të mos thënë pasdite. Ne po lehtësojmë maksimalisht me instrumentet që kemi në dorë. Paketa ka mbi të gjitha dy element, i pari është që t’i tregojë qytetarit se qeveria është me sytë, veshët e zemrën hapur dhe të vjen afër; e dyta në këtë vështirësi instrumenti financiar prej 400 mijë lekësh vlerësohet nga shumica e qytetarëve.