Ahmeti: Raporti Rama-Kurti, dashuri-urrejtje. Kryeministri shqiptar po merr rolin e zjarrfikësit në Ballkan
Ish-kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si një ish-anëtar i Vetëvendosjes, nënvizoi se e njeh mirë marrëdhënien Rama-Kurti. Ai tha se raporti ka pasur ulje e ngritje, por gjithmonë është ruajtur prej respektit dhe frikës që kanë dy protagonistët nga njëri-tjetri.
“Këtë relacionin Rama-Kurti e kam përcjell gati 10 vite. Është i çuditshëm. Me batuta, herë më takime të mira, herë të këqija. Dashuri, urrejtje disi që vjen nga respekti dhe frika në të njëjtën kohë. Është e dyanshme, përderisa Rama e ka atë që do ti nënshtrojë të gjithë në diskutime. Këto ndonjëherë dalin edhe nga kornizat e diskutimeve të tyre jopublike. Kësaj here Rama po e ndjen veten më komfort ndaj fillon me këto deklaratat jo kanunin, jo e luta. Por ne duhet të largohemi nga këto batuta ditore. Këto akuza se Rama e Kurti po e bëjnë për protagonizmin është si ti thuash një politikani pse merr frymë”, tha ai për ”A2cnn”.
Nga ana tjetër, Ahmeti tregoi se aktualisht është Rama ai që flet nga pozita më të rehatshme se Kurti, pasi ka dalë nga korniza e politikanit lokal dhe po shihet si një përfaqësues i NATO-s në Ballkan. Për të është mëkat që kryeministrat po merren me grindjet personale dhe fokusojnë debatin në Kosovë e Shqipëri në raportin e tyre të tensionuar, në një kohë kur energjitë e të dyve duhen kanalizuar së bashku në drejtim të zgjidhjes së problemit me 4 komunat në Veri.