“Ajo që na ndodhi ne mos i ndodhtë as hasmit!”, familja Rasha letër publike për protestat

Familja e Klodjan Rashës 25 vjeçarit që humbi jetën pasi është qëlluar nga efektivi i policisë ka bërë thirrje për qetësi me anë të një letre publike duke kërkuar që dhimbja e tyre të mos thellohet më tej me padrejtësi të tjera. Në letrën publike anëtarët e familjes Rasha shkruajnë se ndiejnë keqardhje për dhunën e ushtruar gjatë këtyre ditëve në Tiranë.

“Pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij. Ajo që na ndodhi ne mos i ndodhtë as hasmit! Por ato që po shohim të ndodhin pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme. Djalit tonë ja mori jetën arma e një polici dhe ne duam drejtësi deri në fund për jetën humbjen e tij. Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici, nuk sjellin drejtësinë po vetëm padrejtësi të tjera.

Ne i jemi pranë familjes së policit që rrezikon të humbë sytë dhe i lutemi të gjithë djemve të rrëmbyer nga inatet e politikes te mos manipulohen nga politika. Politika që kërkon rrëmujë dhe shkatërrim nuk sjell drejtësinë po rrezikon jetë të tjera djemsh të pafajshëm dhe shqetëson mburrë popullin shqiptar. Ne dëshirojmë shumë që vdekja e tmerrshme e djalit tonë të vlejë për të mos i ndodhur kurrë askujt e njëjta tragjedi.

Por e drejta duhet te shkoje në vend në gjykate dhe ne e presim nga shteti ta garantoje drejtësinë, jo nga dhuna politike. Politikanët t’i thërrasin mendjes se boll e kanë lodhur këtë popull me lojërat e tyre dhe te mos i hedhin benzine zjarrit për interesin e tyre. Duam ti falënderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhimbjen tonë të madh dhe ua shpërblefshim veç në gëzime! Të shkuara policit të plagosur dhe veç te mira pastë bashke me prindërit dhe familjen e tij”, thuhet në letrën e plotë.

SHKARKO APP