Akademia e Shkencave nënshkruan të parën marrëveshje bashkëpunimi me një universitet jopublik

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në kuadër të hapësirës së re ligjore, nënshkruan të parën marrëveshje bashkëpunimi me një universitet jopublik.

Këtë të premte, më 18 dhjetor 2020, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e përfaqësuar nga kryetari i saj, akad. Skënder Gjinushi, ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me “Albanian University” në Tiranë, i përfaqësuar nga prof. dr. Kaliopi Naska, në pozicionin e Rektorit.

Marrëveshja mes Akademisë së Shkencave dhe “Albanian University” ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe midis strukturave përbërëse të tyre; përcaktimin e prioriteteve themelore të bashkëpunimit dhe të mënyrës së zbatimit të tyre mbështetur në legjislacionin në fuqi, në parime të gjithëpranuara dhe në interesa të përbashkëta.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi u shpreh se vetë misioni i Akademisë së Shkencave është promovimi i kërkimit shkencor, kudo që zhvillohet, në institucione publike apo jopublike, që vihet në jetë duke krijuar ura lidhëse mes nesh.
Ai theksoi se, duke institucionalizuar bashkëpunimin mes palëve, bazuar në respektin reciprok, arrihet në bashkëveprimin e rregulluar me ligje dhe me akte nënligjore, duke ruajtur dhe zhvilluar traditat më të suksesshme, përmes nismash, projektesh dhe veprimtarish të përbashkëta akademike e universitare.
Projektet e mëdha nuk bëhen as nga Akademia dhe as nga një universitet i vetëm. Përfshirja e kërkuesve universitarë në njësitë dhe komisionet e përhershme të studimit që janë ngritur pranë Akademisë, garantuar prej reformës ligjore; si dhe rritja e rolit dhe përgjegjësisë së institucioneve universitare për një përzgjedhje të suksesshme të përbërjes së Asamblesë, janë dy prej zhvillimeve më pozitive të hapjes së Akademisë ndaj gjithë sistemit kërkimor në vend, theksoi ndër të tjera kryetari i Akademisë.

Prof. dr. Kaliopi Naska, Rektore e “Albanian University”, u shpreh se bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave për ne është një faktor i parë, qoftë për projekte, qoftë për veprimtari të përbashkëta. Ajo falënderoi Akademinë e Shkencave edhe për dhurimin e një koleksioni botimesh të saj bibliotekës së këtij universiteti, rreth 250 tituj, monografi dhe periodikë.

Bashkëpunimi mes dy institucioneve do të shtrihet në të gjitha fushat e dijes dhe të shkencës, me përparësi në shkencat albanologjike: gjuhësi, arkeologji, histori, antropologji kulturore, trashëgimi shpirtërore e identitare, studime letrare e kulturore; si dhe në disiplinat e reja të shkencave natyrore dhe teknike: nanoshkencë dhe nanoteknologji; bioshkencë, bioteknologji dhe shkenca të jetës; inteligjencë artificiale; si dhe në disiplinat që kanë lidhje me fusha imperative, si tërmetet, pandemitë etj.

SHKARKO APP