Akademia e Shkencave: Shqipëria, në fazën më kritike

Shqipëria është në shtetrrethim dhe këto janë javët më të vështria. Për këtë situatë ku ndodhet vendi, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka reaguar për situatën e krijuar nga koronavirusi, duke vlerësuar se vendi tashmë ka hyrë në fazën më kritike të qarkullimit intensiv në popullatë të virusit SARS-COV-2 dhe se masa më efikase në këtë periudhë është izolimi i virusit nëpërmjet kufizimeve sociale e ndërgjegjësimit të çdo individi për respektimin maksimal të tyre. Për këto arsye, Akademia e Shkencave, komisioni i shëndetësisë pranë saj, mbështesin plotësisht masat e marra nga Qeveria e Shqipërisë për të përballuar gjendjen e pandemisë dhe njëherësh nënvizojnë se, në mungesë të tyre, situata do të kishte qenë shumë më e vështirë dhe me pasoja jashtëzakonisht të rënda për shëndetin e popullatës dhe gjithë shoqërinë shqiptare.

Deklarata e plotë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka ndjekur prej disa javësh në mënyrë sistematike dhe proaktive situatën e krijuar nga virusi SARS-COV-2 në vendin tonë. Akademia e Shkencave, nëpërmjet komisionit të shëndetësisë, është duke shkëmbyer dhe analizuar të dhëna nga burime të specializuara ndërkombëtare, si dhe të dhëna laboratorike, spitalore e epidemiologjike të vendit tonë.

Në këtë kontekst, anëtarë të komisionit të shëndetësisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sikurse prof. Alban Ylli, prof. Arjan Harxhi, prof. Edvin Prifti, prof. Genc Sulçebe, prof. Perlat Kapisyzi etj., që në fillim kanë qenë të përgjegjshëm dhe aktivë për sensibilizimin e opinionit publik e të institucioneve kompetente, për shpërndarjen e informacionit shkencor dhe thjeshtimin e këtij informacioni për popullatën, duke dhënë sugjerimet e duhura për përballimin sa më mirë të pandemisë, si dhe për shkëmbimin e informacionit shkencor me insititucionet më serioze ndërkombëtare.

Mbështetur në informacionin e pasur, shkencor dhe serioz të komisionit të shëndetësisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë vlerëson t’i drejtohet drejtpërsëdrejti publikut të gjerë, pasi konstaton se Shqipëria tashmë ka hyrë në fazën më kritike të qarkullimit intensiv në popullatë të virusit SARS-COV-2 dhe se masa më efikase në këtë periudhë është izolimi i virusit nëpërmjet kufizimeve sociale e ndërgjegjësimit të çdo individi për respektimin maksimal të tyre.

Për këto arsye Akademia e Shkencave, komisioni i shëndetësisë pranë saj, mbështesin plotësisht masat e marra nga Qeveria e Shqipërisë për të përballuar gjendjen e pandemisë dhe njëherësh nënvizojnë se, në mungesë të tyre, situata do të kishte qenë shumë më e vështirë dhe me pasoja jashtëzakonisht të rënda për shëndetin e popullatës dhe gjithë shoqërinë shqiptare.

Shifrat flasin vetë. Me ecurinë normale të pandemisë sot tek ne do të kishte tashmë mbi 500 të infektuar me SARS-COV-2 nga 146 që kemi tani, në saje të kufizimeve të ndërmarra. Përvoja e vendeve të tjera dëshmon qartë se rritja e infeksionit është deri katastrofike për sa kohë që nuk zbatohen kufizimet e masat sociale, ndërsa pandemia mbahet nën kontroll kur masat respektohen. Ecuria e përhapjes së virusit në 10 ditët e ardhshme varet vetëm prej nesh, me një armë të thjeshtë:

DUKE RUAJTUR VETEN, TË AFËRMIT E KOLEGËT NGA KONTAKTET E DREJTPËRDREJTA FIZIKE.

Ngujimi në shtëpitë tona kërkon ndërgjegjësim të gjithsecilit prej nesh për rrezikun e madh që na kanoset si individë, por dhe si komunitet, për të mos përjetuar pësimet e të tjerëve. Këto ditë janë përcaktuese për përballimin e pandemisë me sa më pak humbje njerëzore.

Akademia e Shkencave, komisioni i saj i shëndetësisë, janë në mbështetje të kolegëve të tyre, të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë të shërbimit shëndetësor, të gjithë atyre që janë në vijë të parë të konfrontimit me COVID-19, të cilëve u drejtojmë një falënderim të veçantë, ashtu si dhe policisë së shtetit, forcave të armatosura, reporterëve dhe punonjësve të tjerë që janë në detyrë dhe i shërbejnë me përkushtim gjithë popullatës në vendin tonë.

Duke vlerësuar maksimalisht përkushtimin e profesionalizmin e tyre në përballimin e situatës, u bëjmë thirrje gjithë strukturave shtetërore dhe qytetarëve të jenë sa më të kujdesshëm në mbrojtjen e tyre nga infeksioni, duke i ruajtur e pajisur ata në vazhdimësi me mjetet e nevojshme.

Akademia e Shkencave e komisioni i saj për shëndetësinë vlerësojnë se në vijimësi masat do të duhet të përshtaten me dinamikën e situatës në vend dhe me përvojën ndërkombëtare më të mirë. Për këtë do të bashkëpunojmë me institucionet e specializuara shkencore dhe me kolegët e vijës së parë për marrjen dhe transmetimin e informacioneve dhe të praktikave më të suksesshme.

Akademia e Shkencave dhe komisioni i saj i shëndetësisë do të punojnë në vazhdimësi për vlerësimin e situatës, duke mbledhur dhe interpretuar çdo informacion në lidhje me SARS-COV-2 që shkakton COVID-19; raportime shkencore dhe përvoja të reja mbi terapitë e mundshme, në mënyrë që t’u japë mundësi shkencës dhe dijes të luajnë rol aktiv në mbështetje të institucioneve qeverisëse dhe të atyre joqeveritare të angazhuara në luftën ndaj pandemisë. Kjo do të jetë një luftë jo e shkurtër, por shkenca do të triumfojë në favor të Njerëzimit.

SHKARKO APP