Akademia e Sigurisë, ministri Hoxha dhe kryepolici Proda: 400 kursantë i shtohen trupës së Policisë
Në Akademinë e Sigurisë këtë të mërkurë u zhvillua ceremonia për certifikimin e 400 kursantëve që përfunduan me sukses Kolegjin Policor për Patrullë të Përgjithshme dhe për nisjen e Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit për studimet Bachelor për 150 maturantë.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se rikthehet në Akademinë e Sigurisë, në të njëjtën ditë me dy gëzime: diplomimin e 400 punonjësve të policisë dhe fillimin e vitit të ri akademik me 150 punonjës të rinj, të cilët shumë shpejt, si vetë brezat paraardhës do marrin detyra shumë të rëndësishme në Policinë e Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda në fjalën e tij u shpreh se puna e policisë është partneritet i përditshëm me qytetarët. Për të Akademia e Sigurisë është vendi ku merr jetë formimi policor, ku plotësohet dëshira e realizohet ëndrra e brezit të ri, për t’u bërë punonjës policie dhe qytetar model dhe për t’u rreshtuar në anën e së drejtës.