Akademiku i shqetësuar për shqipen: Provim gjuhe për politikanët

Akademiku Gjovalin Shkurtaj është mjaft i shqetësuar se politikanët po e dëmtojnë gjuhën shqipe. Ai kërkon që të veprohet si dikur, kur Ismail Qemali sapo kishte formuar shtetin shqiptar. Ai vendosi që kushdo që synonte të punonte në administratë, në fillim i nënshtrohej provimit të gjuhës shqipe.

Sipas tij, ata që hyjnë në Kuvend bashkë me gëzimin që u zgjodhën duhet të kenë edhe përgjegjësinë që t’u përmbahen sa më mirë mënyrës së të folurit.

“Unë jam kundër të folurit larë e palarë në Kuvend. Mendoj se aty duhet folur zyrtarisht, duhet folur qartë dhe mirë dhe në qoftë se ka raste, siç kemi parë për fat të keq, unë jam partizan që më mirë mos të jepen fare pamjet nga Kuvendi kur ka sharje, kur ka të folur me fjalë të këqija sepse i mësojnë fëmijët e vegjël dhe ato bëhen si pendët që po i përhapen në një ditë me erë ato nuk mblidhen dot më”, -tha Shkurtaj në News 24.

Swiss Digital Desktop Reklama

Akademiku tregoi se qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar, vetëm pak muaj mbas shpalljes së Pavarësisë, në Fletoren Zyrtare u botua vendimi që të gjithë nëpunësit të jepnin provim gjuhën shqipe.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Po e përsëris që jemi 106 vjet të vonuar në zbatimin e një kërkese të qeverisë së Ismail Qemal bej Vlorës, i cili që në vitin 1913, pak muaj pasi ishte shpallur Pavarësia në Fletoren Zyrtare të kohës ka një lajmim. Lajmimi thotë; ‘që të gjithë ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Administratën Shtetërore, duhet të japin provën se e dinë gjuhën shqipe. Nëse kanë dëshirimin që të qëndrojnë por nuk e dinë gjuhën shqipe, të marrin kohën e nevojshme për ta dhënë provimin që të qëndrojnë’. Në Administratën Shtetërore ka shumë njerëz të cilët mund të kenë dituri por nuk dinë gjuhën shqipe”, pohoi ai.

Por mbrojtja dhe ruajtja e gjuhës shqipe nga shteti dhe shoqëria shqiptare nuk duket se është në plan të parë thotë me keqardhje gjuhëtari.

Shkurtaj mendon se halli i përjetshëm i shqiptarëve do të jetë kujdesi për gjuhën shqipe.

“Në fund të fundit nëse rrudhen shqiptarët në Ballkan dhe në Evropë, nëse shpërndahen në botë dhe harrojnë gjuhën e tyre, kjo do të thotë se ne humbasim.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?