AKEP: E vërteta e bllokimit të faqeve të internetit
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka sqaruar sot pozicionin e këtij institucioni lidhur me bllokimin e aksesit të disa domain dhe faqe interneti me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve elektronike. AKEP thotë se nuk ka mbyllur asnjë faqe, por në zbatim të ligjit “detyra e AKEP, në këtë rast, është vetëm t’i përcjellë sipërmarrësve të komunikimeve elektronike (Internet Service Providers), subjekte të ligjit për komunikimet elektronike dhe kuadrit rregullator të tij, udhëzimet përkatëse nga organet vendimmarrëse, pa rishikim, modifikim, apo ndërhyrje të njëanshme”.
Njoftimi i AKEP
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) konstaton me shqetësim qarkullimin, veçanërisht në rrjete sociale, të informacioneve të shtrembëruara dhe të pabaza lidhur me kufizimin e aksesit në rrjet të disa domain dhe faqe interneti nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve elektronike.
Nuk është praktikë e AKEP të shqyrtojë apo të komentojë ndërveprimet e shoqërisë së informacionit dhe aq më pak udhëzimet që i përcillen nga institucionet ligjzbatuese dhe vendimmarrëse të kufizimeve në lidhje me përmbajtjet e paligjshme ose të dëmshme, sipas rregullimeve përkatëse ligjore në fuqi, siç janë Autoriteti i Mediave Audiovizuale (AMA), organet e gjyqësorit dhe të ndjekjes penale, Policia e Shtetit apo Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF).
Udhëzimet për bllokimin e aksesit në rrjete të domain apo faqeve të caktuara në internet, si dhe përcaktimi, apo listimi i tyre, nuk janë as nisëm dhe as veprimtari mbikqyrëse e AKEP, por vendime të organeve të sipërpërmendura. Në bazë të nenit 2 të Ligjit Nr. 9918/2008 për komunikimet elektronike, AKEP nuk ka tagër të shqyrtojë dhe të ndërhyjë në përmbajtje të këtyre faqeve, për pasojë as të gjykojë nëse u duhet bllokuar apo kufizuar aksesi dhe në ç’masë duhet të ndodhë kjo. Detyra e AKEP, në këtë rast, është vetëm t’i përcjellë sipërmarrësve të komunikimeve elektronike (Internet Service Providers), subjekte të ligjit për komunikimet elektronike dhe kuadrit rregullator të tij, udhëzimet përkatëse nga organet vendimmarrëse, pa rishikim, modifikim, apo ndërhyrje të njëanshme.
Ndërfaqen komunikative midis këtyre organeve dhe sipërmarrësve të rrjeteve dhe shërbimeve elektronike, AKEP e kryen prej hyrjes në fuqi të Rregullores Nr. 47, datë 26 tetor 2017, “Për zbatimin e autorizimit të përgjithshëm”, në përputhje me nenin 15 të ligjit për komunikimet elektronike:
“Për transmetimet e përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme mbi bazën e një vendimi të marrë nga organet kompetente të parashikuara në legjislacionin respektiv, zbatohen kufizime. Sipërmarrësi/subjekti që ofron rrjetin dhe ose shërbimin/et e komunikimeve elektronike, ka detyrimin ligjor që të marrë masat e duhura juridike dhe teknike për zbatimin e kufizimit të kërkuar. AKEP, me disponimin e kërkesës së organit kompetent të fushës për kufizimin e transmetimit me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme, i drejtohet sipërmarrësit, subjektit që ofron rrjetin dhe/ose shërbimet e komunikimit elektronik publik, për ndërprerjen dhe bllokimin e transmetimit të kësaj përmbajtje”.
AKEP, për sa parashikohet më sipër, vepron në mbështetje dhe për të lehtësuar komunikimin mes organeve vendimmarrëse të këtyre kufizimeve dhe sipërmarrësve subjekt të këtij ligji. Për këtë arsye, dhe në kuadër të transparencës institucionale, çdo shkrese përcjellëse të AKEP në adresë të sipërmarrësve të rrjeteve dhe shërbimeve elektronike, i bashkëlidhet vendimi i organit përkatës. Bëjnë përjashtim, rast pas rasti, udhëzimet e organeve gjyqësore apo të ndjekjes penale, për shkak të ruajtjes së diskrecionit hetimor.
Në kushtet kur prej vitesh një procedurë e tillë është në zbatim dhe nuk ka ngjallur shqetësime të qenësishme, pasi konform legjislacionit në fuqi – vetëm në 2019, AKEP i janë dërguar për zbatim kërkesa nga AMLF për kufizime në 8000 domain/faqe të lojrave të fatit dhe në rreth 86 domain/faqe me përmbajtje të cilësuara të jashtëligjshme nga AMA – AKEP do të vijojë me profesionalizëm dhe transparencë detyrat e tij ligjore, përfshirë këtu edhe përditësimin e dokumenteve rregullatorë që koordinojnë marrëdhëniet e tij institucionale me autoritetet vendimmarrëse në fushën e shoqërisë së informacionit dhe më gjerë.