Aksident i rëndë/ Mjeti përplas keq biçikletën, motorin, këmbësorin dhe përfundon në fasadën e lavazhit
Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të premte në rrugën e ish-Kënetës që lidhet me Unazën e qytetit të Durrësit. Një automjet i cili po udhëtonte me shpejtësi ka humbur kontrollin duke kaluar trafikndarësen e rrugës për të përfunduar në krahun e kundërt.
Gjatë devijimit, automjeti fillimisht ka aksidentuar një biçiklist, një këmbësor, një motor dhe një automjet të parkuar, për t’u përplasur më pas me fasadën e një lavazhi automjetesh. Drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri në automjet kanë marrë dëmtime dhe janë dërguar në spital, ndërsa personat e tjerë të përfshirë në aksident nuk kanë lëndime serioze.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të policisë, të cilët teksa kanë rrethuar vendin e aksidentit deri në përfundim të hetimit, po punojnë për zbardhjen e shkaqeve. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë humbja e kontrollit të automjetit për shkak të shpejtësisë.