Aksi Tiranë-Lezhë më i rrezikuari për aksidente, rinisin reshjet e borës
Erërat e forta sollën probleme të shumta në Lezhë. Një kamion i ngarkuar me polisterol u përmbys në rrugë mbi urën e Lumit Mat. Famirësisht, nuk pati pasoja në njerëz. Nga erërat e fuqishme pati edhe dëme të tjera në tabela dhe pemë gjatë autostradës Lezhë-Milot. Një familje e përbërë nga 8 anëtarë ka shpëtuar mrekullisht në Lezhë pasi era u ka prishur çatinë ndërsa ata po flinin. Ndërkohë, si pasojë e motit të keq ka probleme të furnizimit me energji elektrike në shumë zona të Lezhës.
Rinisin reshjet e borës
Ulja e temperaturave gjatë natës ka sjellë edhe borën e parë për këtë dimër në qytetin bregdetar. Reshje bore ka patur edhe në rajonin e Korçës. Rrugët në pikat turistike të Dardhës dhe Voskopojës kalohen me zinxhirë. Me zinxhirë këshillohet të qarkullohet edhe në Qafën e Qarrit. Në pikën kufitare të Kapshticës ka patur reshje bore por qarkullimi bëhet normalisht. Bora në Qarkun e Korçës ka arritur deri në 10 cm.
Edhe Përmeti në orët e para të mëngjesit është zgjuar nga reshjet e borës. Borë ka rënë edhe në Qafën e Llogorasë por reshjet kanë qenë të dobëta dhe qarkullimi i mjeteve vijon normalisht. Borë ka rënë edhe në Qarkun e Beratit. Probleme nga reshjet ka patur në disa zona rurale të Skraparit si dhe disa fshatra të njësisë administrative Sinje në Berat. Sipas autoriteteve rrugore, rrugët që kalohen me zinxhirë janë Qafë-Dëvri, Çepan dhe Paftal e Velçan, ndërsa po punohet për të evituar rrëshqitjet e automjeteve. Në disa fshatra të Skraparit ka patur shkëputje për disa orë të energjisë.
Reshjet e borës, të cilat nisën mëngjesin e së shtunës në Bulqizë janë shoqëruar me erë të fortë dhe temperatura të ulëta deri në minus 8 gradë celsius. Situata ka nisur të vështirësohet në shumë rrugë nacionale dhe ata rurale për shkak të erës së fortë dhe reshjeve të borës. Për drejtuesit e automjeteve situata është e vështirë në aksin nacional Qafë e Buallit-Fushë Bulqizë në vendin e quajtur Gurët e Skënderbeut, ku për shkak të erës së fortë dhe dëborës kalimi është i vështirë. Situatë e rënduar është edhe në qytet prej erës së fortë.
KOHA JONË SONDAZH

