Aksident me vdekje, kokainë dhe vjedhje makine. Arrestohen 6 persona në Tiranë

Gjashtë persona kanë rënë në pranga në Tiranë dhe një tjetër është proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale.

Mësohet se janë arrestuar E. M., 26 vjeç dhe M. Gj., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi policia mori informacione se në një bar-bilardo kryhej aktiviteti i kundërligjshëm kriminal në fushën e shitjes së lëndëve narkotike dhe organizimit të lojërave të palejuara. Si rezultat, gjatë kontrollit të bar-bilardos në pronësi të shtetasit E. M. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 37 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një sasi lënde e dyshuar kanabis, një valixhe metalike me fisha (çipsa), 2 aparate celulare dhe disa qese plastike që shërbenin për ambalazhimin e lëndëve narkotike. Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi F. C., 20 vjeç, pasi u kap me një sasi të vogël lënde narkotike kanabis, të cilën e kishte blerë tek shtetasi M. Gj., i cili ishte i pranishëm në bar-bilardo.

Në pranga ra edhe F. C., 26 vjeç, pasi më datë 21.11.2020 ka vjedhur mjetin në pronësi të shtetasit Xh. S. dhe më pas e ka shitur në një servis.

Gjithashtu u arrestua N. K., 42 vjeç, pasi ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Shkalla e Tujanit”, duke qarkulluar me mjet në një zonë që është kantier ndërtimi, ka humbur kontrollin e mjetit dhe si pasojë kanë humbur jetën dy pasagjerët, shtetasi H. D., 68 vjeç, (i cili ka humbur jetë në vendngjarje) dhe shtetasja D. K., 73 vjeçe ( e cila si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetë në spital).

Po kështu, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

I. H., 23 vjeç, pasi në rrugën dytësore Golem-Durrës, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.97 mg/l, ka përplasur dhe është larguar nga vendngjarja, mjetin motor me drejtues R. S., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital është larguar për në banesë.

R. K., 29 vjeç, pasi në Rrugën e Dibrës, duke drejtuar mjetin motor në gjendje të dehur, është përfshirë në një aksident, duke u vetëdëmtuar. Ky shtetas ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

SHKARKO APP