Aksident në aksin Korçë-Pogradec, 4 viktima

 

Një aksident tragjik ka ndodhur pak para mesnatës të së dielës në rrugën e fshatit Drithas, në Korçë. 4 persona kanë humbur jetën pasi një furgon mallrash është rrëzuar nga ura e Drithasit.

Mjeti me targa AA 108 IB ka qenë duke udhëtuar nga Drithasi në drejtim të aksit nacional Korçë -Pogradec, kur është përplasur me kangjellat mbajtëse të urës dhe ka rënë nga 12 metra lartësi. 

Sipas të dhënave, 4 personat kishin udhëtuar nga Lushnja në këtë zonë për t’u furnizuar me prodhimet bujqësore të stinës, kur janë aksidentuar duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Pas ngjarjes së rëndë, mjete të shumta policie kanë mbërritur në vendin e aksidentit, ku me mjete të tjera kanë punuar për nxjerrjen e trupave nga automjeti.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i furgonit Ergi Manllija, 29 vjeç, Deljon Qerreti, 24 vjeç, Merita Hyka, 41 vjeç dhe A.H.,15 vjeç. 

Shkaqet e këtij aksidenti i cili shënoi një bilanc tragjik janë të paqarta, edhe pse dyshohet paraprakisht përgjumja e drejtuesit të mjetit.

SHKARKO APP