Aksident tragjik në Bulqizë, 2 motra humbin jetën, 2 në gjendje të rëndë

 

Dy persona kanë gjetur vdekjen dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor të ndodhur paraditen e kësaj të premteje në Fushë-Bulqizë.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në aksin kombëtar që lidh qytetin e Bulqizës me atë të Peshkopisë.

Dy automjetet, një tip Mercedes Benz me targa AA733CG dhe një Land Rover me targa AA383FE, janë përplasur me njëra-tjetrën dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur katër persona.

“Në aksin rrugor Fushë_Bulqizë në vendin e quajtur pishat janë përplasur dy mjete, Benz me targa AA 733 CG dhe mjeti Land Rover AA 383 FE ku për pasojë janë dëmtuar rëndë 4 shtetas, nga të cilët dy shtetas kanë humbur jetën”, – thuhet në njoftimin paraprak të policisë.

Sipas informacioneve paraprake të policisë, dy shtetaset Zylfije dhe Sadete Kryemadhi, motra me njëra-tjetrën, kanë gjetur vdekjen rrugës për në spital, ndërkohë që raportohet për një fëmijë 10-vjeçar në gjendje të rëndë që pritet të niset me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton për zbardhjen e dinamikës së saj, ndërkohë që paraprakisht besohet se shkak i aksidentit ka qenë akulli në rrugë.

SHKARKO APP