Aksidentet duke kaluar rrugën, fajtorë kalimtarët
Shkaktarë të aksidenteve nuk janë vetëm shoferët, edhe pse përgjegjësia më e madhe shkon tek ta. Një shkaktar i aksidenteve rrugore është edhe kalimi i gabuar i këmbësorëve nga njëra anë e rrugës në tjetër. Kur bëhet fjalë për autostrada dhe rrugë interurbane, kjo është edhe më shqetësuese, pasi kalimtarët kthehen në burim aksidenti, duke vështirësuar edhe qarkullimin e automjeteve. Këta këmbësorë, që kalojnë mbi trafik-ndarëset e rrugëve, janë filmuar në autostradën Tiranë-Durrës, për të vazhduar përgjatë rrugëve që shkojnë deri në Fier.
Shpesh duke refuzuar mbikalimet, por edhe si pasojë e mungesës së tyre, këta qytetarë kanë zgjedhur trafikndarëset për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, mënyrë kjo që është më e shkurtra por jo më e lehta. Në jo pak raste këta kalimtarë kanë humbur jetën. Përse qytetarët zgjedhin të kalojnë në këtë mënyrë? Eksperti rrugor Fatmir Hasho, thotë se për t’i vënë fre këtyre mënyrave të gabuara të kalimit të rrugëve, duhen gjoba për qytetarët. Rrugët më problematike, ku qytetarët kalojnë të shkujdesur, kryesisht janë nga Tirana në drejtim të jugut. Madje një pjesë e këtyrë rrugëve kanë pasur shkallë apo tulla të vendosura mbi trafikndarëse, të improvizuara për të kaluar rrugët.
Aksidentet me pasoja të rënda në Shqipëri vijojnë të mbeten në shifra të larta. Vetëm përgjatë këtij 7 mujori në të gjithë vendin kanë humbur jetën 76 persona, 15 prej tyre vetëm në Tiranë. Numri i aksidenteve në muajin qershor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka pësuar rënie të ndjeshme. Referuar të dhënave nga Instituti i Statistikave (INSTAT) bëhet e ditur se në qershor të 2019 janë regjistruar 131 aksidente rrugore nga 142 të ndodhura në qershor 2018. Në pothuajse të gjitha rastet, konkretisht 91,6 % fajtor ka qenë drejtuesi i mjetit, ku grup mosha më e prekur është 25-35 vjeç.
Megjithatë, ajo që vihet re është se pavarësisht se ka pasur një rënie të numrit të aksidenteve, numri i personave që kanë humbur jetën është më i lartë se në vit më parë. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25-35 vjeç, duke zënë 31,3 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup moshe janë rritur me 10,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në gjashtëmujorin e parë 2019, aksidentet rrugore, në 14,1 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 36,1 %, krahasuar me një vit më parë.
KOHA JONË SONDAZH

