Aksidenti i pazakontë te diga e liqenit, deklaratat e të rinjëve: Ujë, birra dhe hashash. Fjeti gjumë pas…

Emiliano Nina 28-vjeç, vijon të jetë në kërkim policor për aksidentin “fluturues” te Liqeni i Tiranës disa ditë më parë, kur automjeti ”BMW X6” përfundoi mbi digë. Pronari i mjetit, Eldi Allushi, thotë se nuk ka qenë brenda makinës në momentin e aksidentit, ndërsa mjeti drejtohej ngaNina dhe pasagjer ishte kushëriri i tij, Jurgen Allushi. Eldi ka deklaruar në polici edhe se Emiliano Nina shkoi në banesë dhe fjeti gjumë pas aksidentit.

“Nuk i tregova policisë se nuk doja t’i bëja keq Emilianos. Ai ma kërkoi makinën dy herë për të marrë një shoqe dhe unë ia dhashë. Emiliano pasi erdhi nga aksidenti fjeti gjumë, mua s’më tregoi. Më mori në telefon një oficer policie dhe i thashë që do paraqitem vetë në polici. Për 5 orë nuk u paraqita në polici pasi kisha frikë. Automjetin ma bëri dhuratë xhaxhai im disa kohë më parë”, ka thënë Eldi Allushi, shkruan ”Tv Klan”.

Eldi Allushi u ka thënë hetuesve se nuk konsumuar alkool, por një cigare hashash pasi ishte në shoqërinë e një vajze. Kushëriri i tij, Jurgen Allushi që ishte pasagjer në mjet, deklaroi se ai kishte konsumuar ujë, ndërsa Emiliano Nina 3 birra kur ndodhi aksidenti.

Eldi Allushi është i arrestuar nga policia për akuzat se ka penguar zbardhjen e të vërtetës me largimin dhe dëshmitë paraprake, nuk ka kallëzuar krimin dhe ka përkrahur autorin e ngjarjes. Ndërsa kushëriri i tij Jurgen Allushi po hetohet në gjendje të lirë pasi u largua nga vendngjarja së bashku me shoferin Emiliano Nina. Ky i fundit vijon të jetë në kërkim, i akuzuar për 7 vepra penale.

SHKARKO APP