Aksidenti në Vlorë, arrestohet shoqja e viktimës 23-vjeçare! Gënjeu se nuk ishte ajo shoferja
Në vijim të hetimeve lidhur me aksidentin e mbrëmjes së djeshme në aksin Vlorë-Fier ku humbi jetën 23-vjeçarja A. Çapo, policia njofton se nuk ka qenë ajo shofere.
Në njoftimin zyrtar ditën e sotme, policia thotë se në timon ka qenë 22-vjeçarja S. Muha, e cila mbrëmjen e djeshme tha se ishte pasagjere.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Vlorë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, në lidhje me aksidentin rrugor të ndodhur në autostradën Vlorë-Fier, nga veprimet hetimore ka rezultuar se në drejtim të mjetit nuk ka qenë shtetasja A. Ç., 23 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në vendngjarje, por ka qenë shtetasja S. M., 22 vjeçe.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i drejtueses së mjetit, shtetases S. M., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u arrestua në flagrancë shtetasi A. V., 19 vjeç, pasi më datë 25.01.2021, duke drejtuar automjetin e markës “BMW” është përplasur me automjetin e markës “Benz”, dhe si pasojë ka ndërruar jetë në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Benz”, shtetasi N. M., 53 vjeç.
Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.