Aksidenti tragjik tek TEG, drejtori i ARRSH: Nuk ka barrierë që të mban me atë shpejtësi
Drejtori i ARRSH-së Evis Berberi, ka folur për aksidentin tragjik tek rrethrrotullimi i TEG-ut. Berberi tha se barrierat e sigurisë në atë rrethrrotullim ishin mbi normën e kërkuar, duke shtuar se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e automjetit. Për të nëse këndi i goditjes në barrierë është më i madh se 40 gradë, barriera e humbet fleksibilitetin e saj dhe nuk e kthen dot automjetin brenda rrugës.
Pyetje: Aty shpejtësia ishte shumë më tepër normave të lejuara, kuptohet një përgjegjësi e vetë drejtuesit të mjetit, por ka pasur një diskutim sa i përket cilësisë së barrierës mbrojtëse. Duke qenë se aty nuk kishte një frenim dhe fluturimi ndodhi thuajse lehtësisht, si është cilësia e barrierave të vendosura në Unazën e Madhe, dhe edhe te rrethrrotullimi saktësisht?
Berberi: Fatmirësisht në atë moment në atë rrethrrotullim, kushdo mund të shkojë ta vërtetojë, barrierat e sigurisë janë mbi normën e kërkuar. Pra, nëse në projekte, në normat e kërkuara të qarkullimit rrugor dhe kodit rrugor, barrierat rrugore ishin një kategori më poshtë, ne i kemi vendosur një kategori akoma më të lartë se ç’ishte parashikuar. Por, barrierat rrugore kanë një parim.
Pyetje: Si llogaritet kjo?
Berberi: Llogaritet për shkak të shpejtësisë së lëvizjes, forcës së energjisë kinetike që do të transformohet në energji statike, që do të mbaje kjo barrierë. Dhe kjo përkthehet në një kategori, kemi kategori H2, H3, H4.
Barrierat aty janë H4, pra që është më e larta e mundshme, edhe pse jemi në një qytet me lëvizshmëri shumë më të vogël, duke qenë se është mbikalim kemi vendosur standardin e një ure me një shpejtësi lëvizje shumë më të madhe. Barriera rrugore ka një problem, nuk është llogaritur asnjëherë që ti do shkosh në barrierat rrugore, do ngulesh drejtpërdrejtë 90 gradë dhe barriera rrugore do të të mbajë. Barriera rrugore është bërë e tillë që të të kthejë brenda në rrugë ty.
Pra ka një kënd goditje të caktuar, nëse është një kënd më i madh sesa diku më duket 40 gradë, këndi i goditjes. Automatikisht fillon dhe humbet fleksibilitetin e vet, sepse pritet. Ti ke shkuar me 150 km/h, edhe po të kishim vendosur një mur ne atje do të ishte shtypur makina. Prandaj ne vendosim barrierat mbrojtëse.
Të gjitha makinat e para viteve ’80 nuk deformoheshin, dhe dëmtimet i merrnin gjithmonë pasagjerët, atëherë ndodhi e njëjta gjë me barrierat, janë parashikuar që të godasësh, ato të deformohen dhe ti të kthehesh brenda për shkak të elasticitetit që kanë. Nuk ka barrierë rrugore që të mban me atë shpejtësi.
KOHA JONË SONDAZH

